Këshilltarja e Vuçiqit: Serbia s’ka vendim të prerë për zhvendosjen e ambasadës në Jerusalem

Një zyrtare serbe tha se nuk ka “vendim të prerë” për zhvendosjen e Ambasadës së Serbisë nga Tel Avivi në Jerusalem.

Javën e kaluar, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se vendimi për këtë është marrë në kuadër të një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin ekonomik, të nënshkruar në Uashington.

“Tani për tani, nuk kemi pranuar asgjë; asgjë nuk është nënshkruar”, tha për mediat në Serbi këshilltarja kryesore e presidentit serb për media, Suzana Vasileviq.

Marrëveshja e Uashingtonit parasheh edhe njohjen e ndërsjellë midis Kosovës dhe Izraelit.

Vasileviq tha se Serbia “do të shohë se si do të zhvillohet situata dhe si do të sillet Izraeli kur janë në pyetje marrëdhëniet e tij me Kosovën”.

Ndërkohë, gazeta The Jerusalem Post citoi një burim anonim “të afërt” me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të ketë thënë se Serbia “nuk do ta zhvendosë ambasadën e saj në Jerusalem, nëse Izraeli e njeh Kosovën si shtet të pavarur”.

Administrata e Trumpit e ka njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit në fund të vitit 2017 dhe e ka zhvendosur Ambasadën amerikane atje në maj të 2018-ës.

Bashkimi Evropian ka shprehur “shqetësim serioz” për synimin e Serbisë – vend kandidat për anëtarësim në BE – për të zhvendosur ambasadën në Jerusalem.

BE-ja mbështet një “zgjidhje me dy shtete” për konfliktin izraelito-palestinez, me të cilën Jerusalemi do të ishte edhe kryeqytet i Izraelit, edhe i shtetit të ardhshëm palestinez./rel

LEXO EDHE:

Back to top button