U anulua seanca gjyqësore për Grubin, i akuzuari Bashkim Avdi s’e kupton maqedonishten
Gazetar: Suad Bajrami
Ish zëvendëskryeministri Artan Grubi i cili akuzohet për shpërdorim të detyrës zyrtare në lëndën e njohur në opinion si “Lotaria Shtetërore” u deklarua para Gjykatës se e kupton akuzën që i ngarkohet, por nuk ndihet fajtor. Avokatët e Grubit, Goce Ristevski dhe Vlladimir Donevski nuk dëshiruan të japin detaje për strategjinë e mbrojtjen, por thanë se do ta dëshmojnë pafajësinë e tij gjatë procedurës.
“Përmbajtjen e atyre provave për momentin nuk do ta shpjegoj, ende është herët. Ende as nuk ka filluar procedura e provave”.
“Ne jemi fortë të bindur se klienti ynë është i pafajshëm, nuk ka ndërmarrë kurrfarë veprime të paligjshme, për kurrfarë vepre penale, për atë jemi në gjykatë ta themi atë”, tha Goce Ristevski, Avokat i Artan Grubit.
Edhe të akuzuarit e tjerë Metodija Dimovski, Skender Memeti, Bojan Janev dhe Fatmir Ramadanovski thanë para gjykatës se nuk ndihen fajtorë. Megjithatë seanca u ndërpre pasi i akuzuari Bashkim Avdi nuk u deklarua nëse ndihet ose jo fajtor pasi tha se nuk e kupton gjuhën maqedonase. Kërkoi që akuza t’i dorëzohet në gjuhën shqipe. Avokati i tij Asmir Alispahiq tha se nuk do të kërkojnë të gjitha materialet të përkthehen, por vetëm pjesën e provave për të cilat ai ngarkohet në akuzë. I pyetur pse nuk kanë kërkuar më herët, Alispahiq tha se nuk ka pasur kohë.
“Nuk kemi komunikuar, gjatë seancës sotme komunikuam. Tha se dëshiron ta shfrytëzojë atë drejtë që ta kuptojë akuzën, pasi edhe sot u lexua akuza. Nuk e kuptoi mjaftueshëm në maqedonisht. Ajo është e drejtë themelore e njeriut, e zbatuar në Kushtetutën tonë”, Asmir Alispahiq, Avokat i Bashkim Avdi.
Nga ana tjetër, organi i akuzës dyshon për keqpërdorim të procedurës me qëllim të zvarritjes.
“Unë reagova, gjegjësisht Prokuroria në kontekst të asaj se kur është deklaruar ajo e drejtë pasi ajo e drejtë u lexua dhe iu dha të akuzuarit, që në seancën paraprake dhe mundej të shmangej ky anulim, nëse do të jepej në seancën e kaluar”, Aleksandar Davçevski, Prokuror.
Për shkak se i akuzuari i parë Përparim Bajrami vazhdon të jetë i pakapshëm për organet e përndjekjes, Gjykata vendosi që ta gjykojë në mungesë. Familjarët e ish drejtorit të Lotarisë Shtetërore, Bajrami, kanë angazhuar Avokatin Elenko Millanov, i cili dorëzoi te gjyqtarja listën me prova. Prokuroria gjatë ditës së sotme tha se e ka precizuar propozim-akuzën në pjesën e shkaktimit të dëmit, në vend 8.2 milionë euro, dëmi llogaritet të jetë rreth 9,7 milionë euro.
Sipas Prokurorisë, Artan Grubi dhe 7 persona të tjerë akuzohen se kanë “Keqpërdorur detyrën zyrtare” pasi kanë qenë pjesë e operacionit për furnizimin e VLT aparateve për lojëra elektronike të fatit, për nevojat e Lotarisë Shtetërore edhe pse të njëjtat asnjëherë nuk janë përdorur, pasi që Lotaria Shtetërore nuk ka të drejtë ligjore për organizimin e pavarur të lojërave elektronike të fatit. Prokuroria e zhvilloi hetimin për veprën penale “Mashtrim në shërbim” për të cilën parashihet dënim me burg prej 4 deri në 20 vjet burg, megjithatë propozim akuzën e dorëzoi për vepër tjetër penale që parashikon dënim më të butë, respektivisht prej 1 deri në 5 vjet burg. /Alsat.mk








