Kilian Mbape zgjedh shtëpinë në Madrid, me 2 pishina, një kinema…

Kilian Mbape pas largimit nga PSZH, ndër hapat e parë ishte edhe ai i kërkimit të shtëpisë, që do ta presë atë dhe familjen e tij, veprim i cili përfundoi me sukses. Sipas mediave lokale, Mbape ka blerë një vilë me vlerë nga 10 deri në 15 milionë euro.

Rezidenca e re e jashtëzakonshme e sulmuesit të kombëtares franceze ndodhet në një nga zonat më ekskluzive të Madridit. Paga e tij e konsiderueshme te Real Madridi (duhet të fitojë nga 15 deri në 20 milionë euro në vit, pa harruar sponsorët), i mundëson të bëjë investime të këtij lloji.

Kilian tashmë ka bërë një lëvizje duke përfituar nga miqësia e tij me një lavdi të madhe të skuadrës spanjolle, pikërisht Serhio Ramos, me të cilin ndau një pjesë të përvojës te PSZH. Ishte mbrojtësi i Sevilja-s, ai që i rekomandoi zonën “La Moraleja”, një kompleks banimi i nivelit të lartë, që ndodhet në komunën e Alkobendas, në pjesën veriore të zonës metropolitane të Madridit.

Është një nga zonat me të ardhurat më të larta për frymë në të gjithë Spanjën, ku në të kaluarën kanë jetuar edhe Kristiano Ronaldo, Karim Benzema, Toni Kroos, Anhel Di María, Zinedin Zidan, Geret Bejll dhe Devid Bekam. Midis fqinjëve të Mbapes mund të jetë Ramos, i cili ka ende një shtëpi në këtë zonë, dhe ylli i Hollivud-it, Riçard Gir.

Prona e re e Mbappé është ndërtuar në vitin 1996, por është rinovuar plotësisht. Ajo është 3.507 metra katrorë ndërtim brenda 10 mijë metra katrorë tokë. E pajisur me të gjitha komoditetet, rezidenca e re e Mbapes ka dy pishina, një kinema, një fushë tenisi, një banjë turke.

Brenda ka gjithçka, zonë kinemaje, bare, sallone. Nuk është një fillim i keq te Real Madridi për Mbapen, i cili tani vetëm pret të startojë aventurën e tij me fanellën merenguese.

LEXO EDHE:

Back to top button