Kinezët kanë një makinë të vërtetë fluturuese, dihet çmimi dhe data e mbërritjes

Prodhuesi kinez po punon me shpejtësi në zhvillimin e makinave fluturuese dhe llogaritet ndër liderët teknologjikë në këtë formë gjithnjë e më interesante të transportit.
Menjëherë pas fluturimit të parë publik të prototipit të tij të gjeneratës së pestë në Dubai, “XPeng” tregoi për publikun shembullin e tij të ri dhe shumë më serioz.
“XPeng Aero HT” është një projekt shumë më serioz. Kjo është fjalë për fjalë një makinë që duket sikur ka një dron të lidhur me të. Ai u prezantua në “XPeng 1024 Tech Day”, një manifestim ku kompania kineze prezantoi një sërë risive interesante.
“Aero HT” ka dy motorë lëvizës për arsye sigurie, dhe përkundër konstruksionit kompleks, prodhuesi pretendon se është maksimalisht i thjeshtuar për të komercializuar produktin e përfunduar sa më shpejt që të jetë e mundur. Siç pritej, pjesa më komplekse do të jetë montimi dhe çmontimi i sistemit të shtytjes së fluturimit. Pritet të dalë në shitje që në vitin 2024, me një çmim fillestar prej 155,000 dollarë.
“X2” i prezantuar më parë është një avion me dy ndenjëse dhe ngritje-ulje vertikale, i cili ngrihet me ndihmën e tetë helikave – dy në çdo cep të mjetit. Masa totale maksimale është 760 kilogramë, fluturon me shpejtësi deri në 130 km/h dhe diapazoni i punës është rreth 35 minuta.
