Gazetare: Amila Rashiti
Më 28 tetor do të promovohet zyrtarisht aplikacioni kombëtar celular “m-uslugi” dhe qytetarët do të mund ta shkarkojnë atë nga dita e nesërme, më 29 tetor, në Play Store dhe App Store. Përmes aplikacionit, qytetarët do të mund t’i kenë dokumentet personale në formë elektronike dhe më shumë shërbime qeveritare direkt në telefonin celular. Të anketuar për Alsat qytetarët kanë mendime pozitive për aplikacionin por personat më të moshuar shprehen të shqetësuar se nuk do ta mund ta përdorin pa ndihmën e personave më të rinj.
“Nuk është shumë praktike për të gjithë, sidomos për personat e moshuar që jetojnë vetëm. Ata shpesh nuk mund ta bëjnë vetë dhe duhet të kërkojnë ndihmë nga një person tjetër, gjë që e bën të gjithë procedurën pak më të vështirë. Përndryshe, ideja është e mirë dhe është shumë e përshtatshme për të rinjtë, por për personat më të moshuar që jetojnë vetëm është më e vështirë, madje pothuajse e pamundur, sepse zakonisht kanë nevojë për ndihmën e dikujt tjetër,” tha një qytetare
“Ajo nuk më intereson, më falni por nuk e dua unë me dixhitalen do të rri me më të vjetrën, me formë më të vjetër.”Deklaroi një qytetare.
“Është zgjedhje e mirë, sigurisht që është e mirë vetëm personat më të moshuar si do të gjinden aty është problëmi. Do ta shohim dhe do ta provojmë vetëm le të bëhet,“ tha një qytetare.
Ministri i Tranformimit Dixhital, Stefan Andonovski, ka informuar se projekti ka një vlerë prej më shumë se 1.5 milion eurosh dhe fondet u siguruan drejtpërdrejt nga Bashkimi Evropian, pa asnjë kosto për buxhetin e Maqedonisë së Veriut. Përdorimi i “m-uslugi” do të jetë falas dhe opsional. Qytetarët do të vazhdojnë të jenë në gjendje të përdorin mënyrat ekzistuese për shërbimet administrative. Në fazat e ardhshme, aplikacioni pritet të marrë një kuti postare me email, njoftime për skadimin e dokumenteve të rëndësishme dhe qasje të thjeshtuar në shërbimet më të përdorura të institucioneve./Alsat.mk








