Kodi i ri Penal i është dorëzuar KE-së për mendim
Kodi i ri Penal i është dorëzuar KE-së për mendim
Gazetar: Suad Bajrami
Ministria e Drejtësisë informon se ka përfunduar me hartimin e Kodit të Ri Penal dhe të njëjtin e ka dërguar për mendim në Komisionin Evropian, pas çka nëse nuk ka vërejtje atëherë duhet të miratohet në Qeveri dhe të votohet në Kuvend me shumicë të thjeshtë.
“Përgatitja e Kodit të ri Penal ka mbaruar, është përkthyer në anglisht dhe është dorëzuar për mendim te Komisioni Evropian. Janë përgatitur edhe tabelat korresponduese si obligim nga Skriningu Bilateral për Kapitullin 23”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.
Megjithatë, nga Ministria e Çështjeve Evropiane për Alsat theksojnë se Kodi Penal u dorëzua në Komisionin Evropian në mars, por prej atje e kanë kthyer me disa rekomandime.
“Pasi është formuar qeveria e re deri te Ministria e Çështjes Evropiane nuk ka arritur propozim për Kod Penal që të dërgohet në Komisionin Evropian”, thanë nga Ministria për Çështje Evropiane.
Sipas informatave të Alsat, në Kodin e ri Penal të cilin e ka përgatitur përbërja e qeverisë aktuale, do të rikthehen nenet e Kodit të vjetër penal në lidhje me shpërdorimin e detyrës zyrtare dhe shoqërimit kriminal të cilat, u shfuqizuan në shtator të vitit 2023 dhe si pasojë, u liruan nga ndjekja penale disa funksionarë dhe u mbyllën disa raste të korrupsionit të lartë.
Lejla Tutiq nga Koalicioni të Gjithë për Gjykim të Drejtë thekson se procesi i miratimit të Kodit të ri Penal do të zgjasë. Prandaj, derisa të hyjë në fuqi Kodi i ri, duhet me urgjencë në Kuvend të rikthehen paragrafët e vjetra me qëllim që të mos bëhet dëm edhe më i madh
“Është e domosdoshme që të ndryshohet kodi aktual penal. Për këto ndryshime, nuk duhet absolutisht kurrfarë analize, të mos zbatohen kurrfarë hulumtime, procese konsultative, formim të trupave të punës. Gjithçka që duhet të bëhet është që të ndryshohet Kodi Penal dhe të kthehen dënimet e vjetra për këto vepra penale. 05:26 Këto ndryshime të Kodit aktual Penal janë të domosdoshme për arsye se me ndryshimet do të parandalohen pasojat shtesë të cilat, eventualisht do të krijoheshin në këtë periudhë derisa të miratohet Kodi i ri Penal”, tha Lejla Tutiq, Koalicioni të Gjithë për Gjykim të Drejtë.
Miratimi i Kodit të ri Penal është edhe kërkesën e Bashkimit Evropian, me qëllim që të harmonizohet me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.
Në raportin e KE-së për vitin 2024, u theksua se ndryshimet skandaloze të Kodit Penal të vitit 2023, dobësuan kuadrin ligjor, duke ndikuar negativisht në ndjekjen penale të korrupsionit, veçanërisht në çështjet e nivelit të lartë.
Nga këto ndryshime skandaloze të cilat prodhuan efekte negative në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, më shumë përfitime patën të akuzuarit në lëndët e ish Prokurorisë Speciale./ Alsat.mk