Kodi Penal shqyrtohet në komisionin parlamentar, “ndjekja” do të konsiderohet vepër penale
Gazetare: Fatlume Dervishi
Më në fund lëvizje në drejtim të procedimit të mëtejmë në Kuvend të ndryshimeve të Kodit Penal. Në seancën e Komisionit për Çështje Evropiane, propozim ndryshimet e Ministrisë së Drejtësisë u shqyrtuan në lexim të parë. Opinioni i pret këto ndryshime prej kohësh. Ata janë propozuar që në korrik të vitit të kaluar. Me propozimet e reja, definohen veprat penale me bazë dhunën gjinore, shkruan Alsat.
“Ndjekja” shtohet si vepër e re penale dhe do të përfshijë ndjekjen e vazhdueshme në mënyrë të paautorizuar, persekutimin dhe ndërhyrjen në jetën personale të tjetrit, krijimin e kontaktit të padëshiruar me lëvizjen në hapësirën ku ai person gjendet, abuzim duke përdorur të dhënat personale, duke përdorur mjetet e komunikimit, ngacmim ose frikësim, shkaktimin e ndjenjës së pasigurisë, ankthit ose frikës për viktimën. Ana Avramovska Nushkova nga Rrjeti nacional kundër dhunës ndaj grave, vlerëson se këto propozimet janë në përputhje me Konventën e Stambollit dhe legjislaturën e BE-së.
“Vlerësojmë se në disa nene të caktuara mund të ketë plotësim dhe rregullim shtesë se si do të mund të jepej mbrojtja më efektive dhe dënimi më i përshtatshëm për kryerësit. E përshëndesim vendimin për shtimin e veprës së re penale “ndjekje”, deklalroi Ana Avramovska Nushkova, Rrjeti nacional kundër dhunës ndaj grave.
Avramovska Nushkova thotë se OJQ-të tashmë kanë dhënë rekomandime konkrete për definim më të qartë të ngacmimeve seksuale në internet.
“Ngacmimi gjinor” ashtu siç propozohet për momentin nuk përkon me gjithçka që dimë dhe që ndodhi gjatë dy viteve të fundit me katër rastet të cilat u bënë publike në opinion dhe për të cilat informuan edhe mediat, me rastet e “Javna soba” dhe të ngacmimeve seksuale të grave dhe vajzave përmes internetit dhe rrjeteve sociale. Vlerësojmë se duhet të rregullohet dhe të përfshihet si vepër e re penale “ngacmimet seksuale përmes internetit” që kryerësit të dënohen në mënyrë të përshtatshme dhe të mos përsëriten këto raste”, tha Ana Avramovska Nushkova, Rrjeti nacional kundër dhunës ndaj grave.
Avramovska Nushkova shton se për efikasitet më të madh në zbatimin e ndryshimeve ligjore, do të duhet të ketë bashkëpunim më të madh ndërinstitucional por edhe të institucioneve me sektorin civil. Propozim-ndryshimet erdhën pas rastit të “Javna soba” ku viktima ishin vajza kryesisht minorene, të dhënat personale të të cilave u keqpërdorën në një grup në rrjetin “Telegram”. Debati në Komisionin parlamentar për këto propozime u zhvillua pas dyerve të mbyllura për shkak të protokolleve anti-kovid. Deri tani, nuk dihen vlerësimet dhe propozimet e opozitës rreth këtyre ndryshimeve. Në po të njëjtën seancën shqyrtohen edhe plotësime të tjera të Kodit penal me të cilat sulmi ndaj gazetarit ose nëpunësit të medias do të konsiderohet si dhunë ndaj personit zyrtar dhe do të dënohet nga një deri në pesë vjet burg. /Alsat.mk








