“Kodi Zgjedhor”/ Bie nisma e Të Majtës, përgatiten bisedime të reja

“Kodi Zgjedhor”/ Bie nisma e Të Majtës, përgatiten bisedime të reja

Gazetare: Fatlume Dervishi

Kuvendi nuk miratoi kërkesën e Të Majtës për ndryshimin e rregullave të financimit të fushatës zgjedhore. Partia opozitare vlerësonte se i ishte bërë padrejtësi në zgjedhjet e fundit, meqë nuk ishte pjesë e financimit të paguar politik, sipas rregullores së Agjencisë së mediave. Megjithatë shumica e deputetëve nuk menduan njësoj.

“Ky korrigjim duhet të bëhet për procesin tonë demokratik zgjedhor dhe supozoj edhe me vullnetin tuaj të mirë sepse gjatë zgjedhjeve thatë se jeni të hapur të hapet Kodi zgjedhor dhe të korrigjohen mangësitë e tij. Ne nga kjo foltore themi se do të marrim pjesë në secilin grup pune që do ta formojë Kuvendi për Kodin zgjedhor”, deklaroi Amar Mecinoviq, E Majta.

VMRO-DPMNE-ja dhe LSDM-ja thanë se ndryshimet në Kodin zgjedhor bëhen pas konsultimeve dhe konsensusit paraprak. Ata paralajmëruan fillimin e diskutimeve brenda grupit të ri të punës që duhet të formohet.

“Duhet vërtetë të ulemi me konsensus me të gjitha vërejtjet që I kanë të gjitha subjektet politike, të ulemi dhe t’i bëjmë të gjitha ndryshimet që kërkohen. Dhe për të sqaruar opinion, nuk ka pasur asnjë censurë për Të Majtën në këto zgjedhje sepse përpjekje për të ndryshuar Kodin zgjedhor kemi pasur dy herë në mandatin e kaluar dhe në të dyja rastet E Majta s’ka marrë pjesë”, tha Nikolla Micevski, VMRO-DPMNE.

“Kërkesat e të gjitha partive politike janë legjitime dhe të arsyeshme duke pasur parasysh atë që ndodhi në pjesën e procesit zgjedhor dhe për këtë kemi biseduar disa herë. Qëndrimi ynë se ky ligj duhet gjithmonë të sillet me konsensus mes partive politike dhe e dyta, e dini se kemi Agjendë reformuese, kurse njëra prej pikave është edhe Kodi i ri zgjedhor. Duhet në detaje të flasim për Kodin e ri zgjedhor me të gjitha vërejtjet që kanë partitë politike”, u shpreh Oliver Spasovski, LSDM.

Kryeparlamentari Gashi paralajmëroi një ditë më parë formimin e një grupi të punës në kuadër të Kuvendit për përpilimin e Kodit të ri zgjedhor. Formati i grupit dhe përmbajtja e draft ligjit nuk janë akoma të njohura. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button