Kohen: 7 tetori ishte ditë tragjike për Izraelin, përgjegjës i vetëm është Hamasi
Kohen: 7 tetori ishte ditë tragjike për Izraelin, përgjegjës i vetëm është Hamasi

Në takimin e OSBE-së në Shkup, Ministri i jashtëm izraelit, Eli Kohen, në një deklaratë për shtyp është shprehur se 7 tetori ishte një ditë tragjike për shtetin e Izraelit dhe përgjegjësi i vetëm për masakrën është Hamasi. I pyetur se edhe sa duhet të shkojnë drejt paqes, Kohen u përgjigj se Izraeli është i vendosur ta luftojë organizatën terroriste derisa të lirohen të gjitha pengjet. Nga ana tjetër, zëvendës ministri turk Burak Akcapar, në takim ka dënuar ashpër Izraelin dhe humbjen e jetëve të civilëve. Sipas tij, nuk ka pasur kaq shumë humbje civilësh në asnjë histori konflikti së fundmi.
“7 tetori ishte një ditë tragjike për shtetin e Izraelit. Në fakt shohim se i njëjti vend që në të vërtetë lufton, dhe mbështet luftën kundër Ukrainës po bën të njëjtën gjë kundër Izraelit, për momentin. Ka vetëm një përgjegjës për masakrën e 7 tetorit, pengjet, luftën që nisi më pas dhe vuajtjet e popullit në Gaza. Ai është Hamasi ISIS. Ne do të vazhdojmë të luftojmë derisa të kthejmë të gjithë pengjet tona dhe derisa të eliminojmë Hamasin. Bota duhet të jetë e bashkuar për të çliruar Gazën nga Hamasi ISIS, në mënyrë që të sigurohet se mizori të tilla nuk do të ndodhin në asnjë vend tjetër të botës”, tha Eli Cohen, ministër i Jashtëm i Izraelit.
“Fatkeqësisht, që në 7 tetor ne kemi prekur fundin për shkak të humbjes masive të jetëve civile pas sulmit në Izrael. Më pas sulmet izraelite kanë qenë pa dallim objektivi, pasi kanë sulmuar rëndë civilët dhe të gjitha llojet e infrastrukturave civile, duke përfshirë spitalet në Gaza. Njerëzimi nuk ka parë një humbje kaq masive të jetës së civilëve, shumica prej tyre gra dhe fëmijë në një periudhë kaq të shkurtër kohore, në historinë e fundit. Vetë Kombet e Bashkuara, nuk kanë humbur kurrë një numër kaq të madh civilësh në një konflikt të armatosur”, tha Burak Akcapar, zv.ministër i Jashtëm i Turqisë. /Alsat.mk