Kolegët kujtojnë Isuf Kadriun dhe përkushtimin e tij, Qose: Humbje e madhe për profesionin

Kolegët kujtojnë Isuf Kadriun dhe përkushtimin e tij, Qose: Humbje e madhe për profesionin

Gazetare: Ajnur Bafqari

Isufi ka qenë një enciklopedi e vërtetë, i jashtëzakonshëm në profesion, jashtëzakonisht i përgjegjshëm si prind, si djalë i një nëne të moshuar dhe si një bashkëshort. Por, mbi të gjitha një mik shumë i mirë. Kështu e kujtojnë bashkëpunëtorët e afërt, zëvendëskryeredaktorin e televizionit Alsat, Isuf Kadriun, i cili dje ndërroi jetë në moshën 52 vjeçare. Kryeredaktori i televizionit Alsat, Admir Qose, bashkë me Isufin ka ndarë 16 vite së bashku, si kolegë por mbi të gjitha edhe si miq shumë të mirë, thotë se e ka të vështirë të pranojë këtë realitet. Ai nënvizon se vdekja e Isufit është një humbje shumë e madhe për të gjithë, por edhe për profesionin e gazetarisë.

“Dita jonë niste pikërisht, ja në këto momente, 8 e 30, shiheshim si çdo ditë, pinim kafen tonë të parë të mëngjesit, diskutonim për të gjitha gjërat, situatat politike, sociale, ekonomike, gjitha problemet që ka shoqëria jonë I ndanim me njëri-tjetrin…..Ajo çfarë e karakterizon pikërisht atë njeri është energjia…Prej vitit 2008 e deri më sot, dikund 16 vjet ne ndajmë të njejtën kohë dhe jo ndajmë kohë, por do të thosha, këtu ishte familja jonë. Më shumë u rritëm këtu… Këtu ishte shtëpia e tij, ai ishte për ne njeriu më i madh i familjes, për nga mosha, për nga përvoja. Është një humbje shumë e madhe për ne”, tha Admir Qose, Kryeredaktor në Alsat.

Për profesionalizmin dhe përkushtimin e tij në punë, dëshmon edhe një tjetër kolege, që e njihte atë më shumë se dy dekada. Zërijeta Hajro Jahjaga, me të cilën Isufi kishte punuar në televizionin shtetëror dhe së fundmi në Radion Evropa e Lirë, thotë se ai ka qenë një shkollë në vete për të gjithë ata që kanë ndjekur rrugën e gazetarisë.

“Isufin ashtu siç tha edhe Admiri në fillim, gjithmonë e mbaj mend të parin që vinte në redaksi, një njeri i heshtur, por shumë këmbëngulës në punë për të cilën ai e mirrte si detyrë për ta realizuar gjatë ditës…Në vitin 2001 kishim një komunikim intenzive, pasi punonim në televiozion por njëkohësisht ishim edhe korrespodent të REL dhe këtu na u puqën rrugët që në njëfarë forme ishim në gjurmim të lajmit bashkarisht në çdo gjë… Mbaj mend, jo rrallë herë është goditur nga struktura ose qarqe të caktuara të cilëve nuk u shkonin për shtat lajmet, gjithmonë ishte i pari që dilte në front dhe thonte, okej, unë jam redaktor i lajmeve, thoni se Isufi këtë e ka urdhëruar, ky ishte Isufi.. ” shtoi Zërijeta Jahjaga, gazetare.

Në kujtim të Isufit, reagime të shumta kishte edhe nëpër rrjetet sociale, ku shumë kolegë aktualë dhe ish kolegë kujtuan punën e tij./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button