Komisioni për historinë mes RMV-së dhe Bullgarisë: Mbreti Samoil sundoi mbretërinë bullgare në Maqedoni

Komisioni për historinë mes RMV-së dhe Bullgarisë: Mbreti Samoil sundoi mbretërinë bullgare në Maqedoni

Gazetar: Lluka Andreev

Historianët maqedonas dhe bullgarë nga Komisioni i përzier kanë gjetur gabime faktografike, lëshime dhe sugjerime të pabaza historiografike për periudhën antike, nëpër librat e historisë për klasën e gjashtë tek ne dhe librin e klasës së pestë në Bullgari, shkruan Alsat.

Historianët sot për herë të parë i zbardhën rezultatet e punës së tyre, duke i publikuar rekomandimet e harmonizuara për ndryshime nëpër librat e të dy shteteve.

Shkupi duhet t’i saktësojë hartat e shtetit antik maqedonas, më shumë t’i përfaqësojë Trakët dhe kulturën e tyre si dhe t’i kushtojë vëmendje pikëpamjes për shtetin modern maqedonas dhe Maqedoninë antike.

Nga ana tjetër, Sofja do të duhet ta përdorë termin “vendet e tanishme bullgare” ose territori i Bullgarisë bashkëkohore”, në vend të nocionit “vendet bullgare”.

Sipas historianit Dragi Gjorgjiev, këto rekomandime nuk i prekin çështjet e identitetit.

“Ndryshohen gjërat ku ka keqkuptim dhe që mund të jenë shkak për prishjen e marrëdhënieve mes dy popujve dhe shteteve, por që tek të rinjtë mund të shkaktojnë tensione dhe urrejtje. Në këtë drejtim, Komisioni punon në tejkalimin e këtyre gjërave nëpër libra”, tha Dragi Gjorgjiev- bashkëkryetar i Komisionit të përzier.

Historianët thonë se ata kanë propozuar vetëm se çfarë duhet të ndryshojë dhe se tani radhën e ka Qeveria, institucionet arsimore, por edhe autorët e librave.

Ndryshe, tekstet e harmonizuara me të cilat Maqedonia dhe Bullgaria pritet t’i nderojnë bashkërisht Shën Kirilin dhe Metodin, Klimentin dhe Naumin, si dhe Mbretin Samoil, tashmë janë të qasshëm për publikun.

Në tekstet për pesë figurat historike, përmendet se ata kanë punuar në periudhën e shtetit mesjetar bullgar, por edhe në territorin e sotëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Mbreti Samoili është sundimtar i një shteti të madh mesjetar, të cilin shumica e shkencës moderne historike e konsideron mbretërinë bullgare me qendër në territorin e sotëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ai mbulon një pjesë të konsiderueshme të vendeve dhe popullsisë së Gadishullit Ballkanik. Mbreti Samoil dhe fati i tij dramatik janë simbol i historisë së përbashkët që ndajnë dy shtetet moderne Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Bullgarisë”, thuhet në Rekomandim për Mbretin Samoil.

“Në këtë kontekst, ne u përpoqëm që tekstet të kenë aspekt pak më të gjerë, më rajonal, sepse të gjithë ata njerëz bëjnë të mundur që të jenë pjesë e festimeve të përbashkëta, jo vetëm në Maqedoni dhe Bullgari, por edhe në një sërë vendesh të tjera, vendet sllave”, u shpreh Dragi Gjorgiev – bashkëkryetar i Komisionit të përzier.

Historianët i harmonizuan këto rekomandime në vitin 2019 dhe vetëm një muaj më vonë po atë vit Qeveria i miratoi, por të njëjtat janë publikuar tani, pas nënshkrimit të protokollit dypalësh mes ministrave Bujar Osmani dhe Teodora Gençovska.

Gjorgiev tregon se ai dhe kolegët e tij bullgarë për të katërtin vit janë duke punuar në tekstet e librave të mesjetës dhe pret që procesi më i vështirë të jetë kur të vendoset në tryezë periudha e kryengritjes së Ilindenit./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button