Komuna e Tetovës u shpall luftë shitësve ilegalë

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Apeli i komunës së Tetovës për lirim të hapësirave publike nga ana e shitësve ambulant, po has në vesh të shurdhër.

Edhe pse tash dy ditë inspektorët e tregut po paralajmërojnë shitësit që kanë bllokuar trotuaret tek tregu i gjelbër që të lirojnë të njëjtët, pamjet tregojnë se ata nuk përfillin paralajmërimet.

Situatë e ngjashme paraqitet edhe përgjatë gjithë rrugës së Ilindenit, dhe bulevardit Iliria.

Qytetarët ankohen për vështirësi në lëvizje sidomos gjatë dimrit kur rrugët janë me ngrica.

“Patjetër, patjetër duhet të lirohen s`mund të ecish rehat . e shihni s`mund të kalojmë e zënë rrugën krejt”.

“Po pengojnë në trotuare vërtetë pengojnë, kjo për kalimtarët është. Duhet këto gjithë brenda t`i fusin”.

“Gjithsesi duhet të merren masa, është dashur me kohë të merren masa. Udhëheqësia e re ka dhënë premtim që do i bëj këto gjera dhe duhet t’i bëj. Së paku të çlirojnë hapësirat publike, trotuaret, urat e qytetit që i kanë blloku më shitës me parkime, madje aty rrinë policia gjithë ditën nuk merr masa duhet të çlirojnë qytetin më. Këmbësorët janë të rrezikuar, sidomos këtë kohë dimri”.

Inspektorati i tregut kërkon nga shitësit ambulant që veprimtarinë e tyre ta kryejnë në hapësirat e “Tregut të Gjelbër” ku ka 120 vende të lira.

“Kërkojmë nga shitësit ilegalë që duke filluar nga dita e sotme të largojnë mallin e tyre nga sipërfaqet publike, në të kundërtën do të përballen me ligjin”, njoftojnë nga Inspektorat i tregut.

Nga Ky inspektorat thonë se gjatë kësaj jave, nuk do të ketë dënime por vetëm paralajmërime për ata që kanë zënë trotuaret. Në rast të mos respektimit të vendimit, pas 19 dhjetorit do të pasojnë dënime të cilat do të jenë të larta si për personat fizik po ashtu edhe për personat juridik, ndërsa malli do të merret nga shitësit ilegalë./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button