Konfiskohen mbi 5 kg heroinë në Ferizaj, dy të arrestuar

Policia e Kosovës ka bërë kontrollimin e një shtëpie dhe objekteve të tjera përcjellëse në Ferizaj, ku është gjetur dhe konfiskuar një sasi e substancës së dyshuar narkotike e llojit “Heroinë” me peshë prej 5kg e 529gr.

Policia nëpërmjet një komunikate thotë se pas pranimit të informacioneve se në një lokacion të dyshuar në Ferizaj, ka substancë narkotike, ka ndërmarrë veprime të menjëhershme për gjetjen e substancës së dyshuar si dhe identifikimin dhe arrestimin e personave që ndërlidhen me rastin.

“Me datë 08.10.2020 pas një pune operative dhe hetimore mbi sigurimin e informatave dhe me urdhër verbal të prokurorit kompetent, Policia e Kosovës ka bërë kontrollimin e një shtëpie dhe objekteve të tjera përcjellëse, ku gjatë këtij kontrolli është gjetur dhe konfiskuar një sasi e substancës së dyshuar narkotike e llojit “Heroinë” me peshë prej 5kg e 529gr. Në lidhje me rastin është bërë arrestimi i personit të dyshuar S. A. i cili dyshohet se e ka pasur nën posedim substancën e dyshuar narkotike. Të gjitha dëshmitë janë fotografuar dhe janë tërhequr nga vendi i ngjarjes nga njësiti i Krim-Teknikës së Regjionit të Ferizajt. Po ashtu, në vazhdën e hetimeve lidhur me rastin është bërë identifikimi dhe arrestimi i personit të dytë të dyshuar A. E. shtetas i Maqedonisë së Veriut, ku dhe janë konfiskuar një veturë, katër telefona celularë,560 franga, 120 euro”, thuhet në komunikatën e policisë.

Me vendim të prokurorit kujdestar të dyshuarit dërgohen në qendër të ndalimit për 48 orë.

LEXO EDHE:

Back to top button