Konflikti Rusi-Ukrainë, Maqedonia mbështet propozimin e NATO-s
“Le të jemi të përgatitur për më të keqen,” tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke iu referuar tensioneve me Rusinë në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin Dimitar Kovacevski. Sipas Stoltenbergут, konflikti eventual do të kishte pasoja të rënda dhe një çmim të lartë, ndaj Aleanca është e gatshme për zgjidhje politike.
“Në ditët e fundit, ne kemi parë një lëvizje të konsiderueshme të trupave ruse në Bjellorusi. Ky është dislokimi më i madh i trupave ruse atje, që nga fundi i Luftës së Ftohtë, i cili ndoshta përfshin 30,000 trupa, forca të operacioneve speciale, avionë luftarakë si SU-35, duke përfshirë sistemin raketor Iskander dhe sistemin e mbrojtjes ajrore S-400″, deklaroi Jens Stoltenberg – Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.
“Ne i bashkohemi thirrjes ndaj Rusisë, për qetësim të situatës dhe vazhdimin e dialogut diplomatik. “Ne qëndrojmë pas propozimit të NATO-s, për takime tematike me Rusinë në nivelin e marrëdhënieve, për sigurinë evropiane me fokus në Ukrainë, për transparencën, reduktim e rrezikut dhe kontrollin e armëve”, tha Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.
Stoltenberg mirëpriti gjithashtu vendimin e presidentit amerikan Xho Bajden për të vendosur trupa të reja amerikane në Gjermani, Poloni dhe Rumani, ndërsa Dimitri Peskov, zëdhënësi i presidentit rus, e quajti masën “shkatërruese”, dhe u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të mos dërgojnë trupa pranë Rusisë.
Ndërkohë, ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shojgu, ka mbërritur në Bjellorusi, ku është planifikuar një stërvitje ushtarake. Nikoqiri i tij, presidenti Aleksander Lukashenko, ka thënë se është i interesuar të blejë armë ruse.
“Kjo do të ndodhë vitin e ardhshëm, dhe kjo është shumë e rëndësishme për ne, jo vetëm për shkak të aleancës sonë, por edhe për shkak të sjelljes kritike të NATO-s dhe Ukrainës, e cila dëshiron të anëtarësohet në Aleancë”, tha Aleksandar Lukashenko – President i Bjellorusisë.
Lidhur me shtensionimin e raporteve, presidenti francez Emanuel Makron njoftoi se do të fliste me telefon, me presidentët e Rusisë dhe Ukrainës, Putin dhe Zelensky. Makron kishte folur më parë me Bajdenin, me të cilin diskutuan sanksionet e mundshme kundër Rusisë, nëse Moska vazhdon të dërgojë trupa pranë kufijve të Ukrainës./Alsat.mk








