
Kongresmeni amerikan Keith Self ka shprehur shqetësim për mundësinë që konsideratat politike të ndikojnë në vendimet e institucioneve të drejtësisë në Hagë. Reagimi i tij vjen në prag të shpalljes së vendimit ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së. Përmes një postimi në platformën X, Self ka thënë se në rastet që lidhen me Hagën është shfaqur shqetësim i përsëritur për ndikimin e pretenduar të paragjykimeve politike në proceset vendimmarrëse. Ai ka shprehur shpresën që një ndikim i tillë të mos jetë i pranishëm në vendimin që pritet të shpallet këtë javë. Self e ka lidhur çështjen edhe me situatën politike dhe të sigurisë në Ballkan, duke paralajmëruar se tensionet dhe përçarjet mund të ndikojnë në stabilitetin e rajonit. / Alsat.mk






