Mosmarrëveshje në BE për sanksionet ndaj Rusisë dhe oligarkut Usmanov

Bashkimi Evropian nuk ka arritur ende marrëveshje për zgjatjen njëvjeçare të sanksioneve ndaj rreth 3 mijë individëve, organizatave dhe kompanive ruse.

Shtetet anëtare kanë rënë dakord vetëm për një zgjatje të përkohshme prej shtatë ditësh, deri në mesnatën e 22 shtatorit. Deri atëherë pritet të vazhdojnë bisedimet për gjetjen e një qëndrimi të përbashkët.

Sipas raportimeve, mosmarrëveshja lidhet kryesisht me kërkesën e Sllovakisë për heqjen e sanksioneve ndaj oligarkut rus Alisher Usmanov. Sllovakia thuhet se ka paralajmëruar bllokimin e vazhdimit të të gjitha masave, nëse Usmanov nuk largohet nga lista e sanksioneve.

Franca, sipas burimeve diplomatike, e ka mbështetur së fundmi këtë qëndrim, ndonëse arsyet e sakta të mbështetjes së dy vendeve nuk janë bërë publike.

Vendet e tjera anëtare të BE-së nuk e kanë pranuar deri tani këtë kërkesë. Një nga shqetësimet kryesore është se heqja e sanksioneve ndaj Usmanov mund të krijojë precedent dhe t’u japë argumente edhe shtetasve të tjerë rusë për të sfiduar masat në gjykatë.

Pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Bashkimi Evropian ka miratuar mbi 20 paketa sanksionesh kundër Rusisë, duke synuar individë, kompani, sektorë financiarë dhe burime strategjike të ekonomisë ruse.

LEXO EDHE:

Back to top button