Trump heq kufizimet për emetimet nga termocentralet në SHBA

Administrata Trump ka shfuqizuar rregullat për dekarbonizimin e termocentraleve, të miratuara në vitin 2024 gjatë administratës së Joe Biden, duke hapur rrugë për përdorim më të madh të qymyrit dhe gazit natyror në prodhimin e energjisë elektrike.

Masa u njoftua në takimin e ministrave të Energjisë të G20-s në Hjuston, Teksas. Sipas administratës amerikane, vendimi synon jo vetëm të rrëzojë kuadrin aktual rregullator, por edhe të kufizojë mundësinë e vendosjes së rregulloreve të ngjashme në të ardhmen.

Sektori i prodhimit të energjisë elektrike është përgjegjës për gati një të katërtën e emetimeve të gazrave serrë në SHBA. Ky vend ka kontributin më të madh historik kumulativ në emetimet që lidhen me ngrohjen globale.

Kreu i Agjencisë Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA), Lee Zeldin, deklaroi se administratat e Barack Obamës dhe Joe Bidenit kanë zhvilluar, sipas tij, një “luftë kundër qymyrit” për më shumë se 15 vjet.

Ai tha se synimi i administratës Trump është mbrojtja e sektorit energjetik amerikan dhe garantimi i çmimeve më të përballueshme të energjisë elektrike për familjet.

Vendimi merret në një kohë kur SHBA-ja po përballet me temperatura rekord dhe thatësirë të përhapur. Njëkohësisht, kërkesa për energji elektrike po rritet ndjeshëm, e nxitur nga zgjerimi i inteligjencës artificiale dhe qendrave të të dhënave.

Administrata Trump e ka përmendur këtë rritje të konsumit si arsye për shtimin e prodhimit të energjisë nga burimet konvencionale, përfshirë qymyrin dhe gazin natyror. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button