
Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese të vlerësojë ligjshmërinë e zgjedhjes së Qeverisë së re, duke pretenduar se ajo është votuar nga një Kuvend i konstituuar në kundërshtim me Kushtetutën.
Kuvendi e zgjodhi të dielën Albin Kurtin kryeministër për herë të katërt, disa orë pasi legjislatura e 11-të u shpall e konstituuar. Procesi u përcoll me polemika dhe akuza për shkelje kushtetuese.
Deputetët e PDK-së, Përparim Gruda dhe Arian Tahiri, iu drejtuan të martën Gjykatës Kushtetuese për ta kontestuar votimin. Një ditë më herët, ata kishin kërkuar edhe vendosjen e një mase të përkohshme ndaj Kuvendit.
“Sot e kemi kontestuar vendimin e Kuvendit për ta zgjedhur Qeverinë e re të Kosovës, sepse konsiderojmë se Kuvendi është konstituuar duke e shkelur Kushtetutën”, tha Gruda.
Ai vlerësoi se një Kuvend i konstituuar në mënyrë jokushtetuese nuk mund të zgjedhë një qeveri kushtetuese, duke shtuar se argumentet e PDK-së janë profesionale dhe tërësisht kushtetuese.
Kuvendi u shpall i konstituuar pas zgjedhjes së nënkryetarëve nga LDK-ja dhe komunitetet joshumicë. Kandidati i LDK-së, Kujtim Shala, u zgjodh me 75 vota, ndërsa nga komunitetet u zgjodhën Tanja Vujoviq dhe Emilija Rexhepi.
PDK-ja nuk mori pjesë në seancë, pasi më herët kishte tërhequr kandidaturën e Vlora Çitakut për nënkryetare. Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, deklaroi se institucioni nuk mund të mbetet peng i asnjë subjekti politik.
PDK-ja pretendon se janë shpërfillur afatet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, përfshirë afatin 30-ditor që, sipas saj, kishte përfunduar më 7 gusht 2026.








