Sekuestrohet ar me vlerë mbi 1.3 milionë denarë në pikën kufitare Tabanoc
Një çift bashkëshortësh u ndalua në pikën kufitare “Tabanoc”, ndërsa në çantën e bashkudhëtares u gjetën stoli ari. Drejtoria e Doganave ka njoftuar se zyrtarët e saj gjatë hyrjes në shtet, kanë parandaluar një përpjekje për kontrabandimin e 348 gramëve ari, me vlerë prej 1.3 milionë denarësh.
Rasti është zbuluar gjatë një kontrolli të detajuar të një automjeti me të cilin udhëtonin një çift bashkëshortor, shtetas të Maqedonisë së Veriut me vendbanim në Belgjikë. Në çantën e bashkudhëtares janë gjetur 26 copë stoli ari. Ndaj saj është ngritur kallëzim për veprën penale “kontrabandë”. Sipas Doganës nga fillimi i këtij viti janë zbuluar 13 raste të kontrabandës me ari, ndërsa janë konfiskuar më shumë se 2.5 kilogramë ari dhe monedha ari. /Alsat.mk












