Kosova dhe Serbia fajësojnë njëra-tjetrën për situatën në veri
Kosova dhe Serbia fajësojnë njëra-tjetrën për situatën në veri

Gazetar: Shkelzen Aqifi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka hequr dorë nga vendimi që kryetarët e komunave veriore të ushtrojnë detyrat në objektet komunale, pavarësisht situatës së krijuar në veri. Kurti ka thënë se kryetarët e zgjedhur atje janë legal dhe mandatin duhet të ushtrojnë në bazë të kompetencave të tyre.
“Nuk duhet të ketë paralelizma në veri, nuk pranojmë që kryetarët të ushtrojnë detyrat në zyra paralele”, deklaroi Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.
Nga Moldavia, ku po merr pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani akuzoi homologun e saj serb Vuçiq se nëpërmjet bandave kriminale tenton të destabilizojë Kosovën dhe rajonin.
“Serbia vazhdimisht ka shërbyer si satelit i Rusisë në rajonin tonë duke tentuar ta destabilizojë Kosovën por edhe shtete të tjera të rajonit. Vuçiqi është i interesuar që nëpërmjet bandave të tij kriminale të destabilizojë vendin tonë, nuk duhet assesi të lejojmë një gjë të tillë”, tha Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës.
Vuçiq nga ana tjetër tha se përpiqet për t’i kthyer gjërat në normalitet. Për deeskalimin e situatës në veri, Vuçiq tha se nevojiten dyja palët.
“Për ne është shumë e rëndësishme që të vazhdojmë përpjekjet që disa njerëz të kuptojnë se 3.4% nuk janë zgjedhje legjitime, se nuk e imponojnë vullnetin e tyre me dhunë, të mos i fusin forcat speciale të policisë pa qenë nevoja. Ne do të përpiqemi të bëjmë më të mirën për t’i kthyer gjërat në normalitet, për t’i deeskaluar gjërat, por nëse kjo ndodh apo jo, për tango duhen dy, dhe kjo nuk varet vetëm nga ne”, u shpreh Aleksandar Vuçiq, President i Serbisë.
Kryeministri shqiptar Edi Rama, ka realizuar një takim kokë më kokë me presidentin serb Vuçiq në Moldavi. Rama tha se tensionet në veri të Kosovës duhet të zgjidhen krah për krah me botën demokratike. Ai u shpreh se tensionet në veri duhet të zgjidhen duke arritur marrëveshjen e normalizimit dhe njohjes së ndërsjellë Kosovë-Serbi.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u kërkoi krerëve të Kosovës dhe atyre të Serbisë që të ulin tensionet, duke paralajmëruar se ata po rrezikojnë aspiratat e integrimit evropian.
“Ne u bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe të Serbisë që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të ulur tensionet”, deklaroi Antony Blinken, Sekretar i Shtetit.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së Zhozef Borell tha se dhuna nuk ka vend, ndërsa kërkoi që të dënohen autorët e dhunës.
“Ne duhet të këmbëngulim që dhuna nuk është rruga, dhuna duhet dënuar dhe autorët e kësaj dhune duhet të mbahen përgjegjës. Dhe të gjithë duhet të shmangin çdo lloj përshkallëzimi dhe lëvizje të pakoordinuara”, theksoi Zhozef Borell, Përfaqësues i lartë i BE-së.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se janë të gatshëm të dërgojnë edhe më shumë trupa në Kosovë. Ai tha se dhuna ndaj KFOR-it është e papranueshme
“Ajo që kemi parë në Kosovë është rritja e tensioneve dhe kemi parë edhe dhunën ndaj paqeruajtësve të NATO-s, forcave të KFOR-it, dhe kjo është krejtësisht e papranueshme”, u shpreh Jens Stoltengerg, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.
NATO ka dislokuar 700 forca shtesë në Kosovë, si përgjigje ndaj trazirave të fundit në veri të Kosovës, ku protestuesit lanë të lënduar 30 ushtarë të KFOR-it. /Alsat.mk