Kosova dhe Serbia u pajtuan që të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve

Kosova dhe Serbia u pajtuan që të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve

Gazetar: Shkëlzen Aqifi

Njohje de facto e Kosovës nga ana e Serbisë. Kështu e vlerëson kryeministri i Kosovës Albin Kurti, marrëveshjen e pa firmosur në Ohër për të cilën gjë fajësoi presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Kurti tha se tashmë i takon BE-së që të gjejë mekanizma për të detyruar Serbinë për të firmosur marrëveshjen.

“Marrëveshja bazë është njohje e ndërsjellë de facto. Pra, kjo është njohje de facto ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Serbia, ashtu si në takimin e fundit në Bruksel, iu shmang nënshkrimit të Marrëveshjes dhe tani edhe Aneksit. I takon BE-së të gjejë një mekanizëm për ta bërë marrëveshjen ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të detyrueshme”, tha Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

I pyetur nëse do të lejojë formimin e Asociacionit, Kurti tha se bëhet fjalë për “një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit serb” dhe “jo për vetëqeverisje”.

“Nuk është vetëqeverisje por është vetëmenaxhim, e dyta unë jam kryeministër i gjithë qytetarëve, andaj angazhohem jo vetëm për shqiptarët, por edhe serbët dhe gjithashtu pakicat tjetra. Në këtë aspekt ekziston një paragraf i cili flet për një nivel adekuat të vetmanaxhimit të komunitetit jomushicë serb, apo pakicës serbe në Kosovë, natyrisht ne do të udhëhiqemi prej standardeve më të larta në mënyrë që edhe serbët në Kosovë të mos kenë asnjë cenim, asnjë diskriminim”, shtoi ai.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq tha se është rënë dakord për “disa afate” dhe se është rënë dakord që brenda 30 ditësh të formohet bashkërisht një komision monitorues, i cili do të kryesohet nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të marrëveshjes. Ai po ashtu tha se është rënë dakord që “menjëherë të nisë formimi i Asociacionit”.

“Për ne është shumë e rëndësishme që formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është vendosur si detyrim me prioritet dhe atë në përputhje me marrëveshjet e arritura më parë, në kuadër të dialogut. Më duhet të them se jam shumë i kënaqur për këtë”, u shpreh Aleksandar Vuçiq, President i Serbisë.

Vuçiq i cili sot ka folur sërish në Beograd tha se nuk e ka nënshkruar aneksin për zbatimin e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën, “sepse Serbia është shtet i njohur ndërkombëtarisht, ndërsa Kosova nuk është” prandaj, sipas tij, nuk mund të arrihet një marrëveshje juridike ndërkombëtare./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button