Kosova shënon sot 14-vjetorin e shtetësisë së saj

Gazetar: Shkelzen Aqifi

Manifestimet për shënimin e 14 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës nisën me homazhet e krerëve të shtetit tek varrezat e Jasharajve në Prekaz.

Ushtarët e FSK-së dhe pjesëtarë të policisë së Kosovës parakaluan para mijëra qytetarëve të tubuar në sheshin e Prishtinës.

Në një seancë solemne në Kuvend presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se procesi i dialogut me Serbinë do të përmbyllet me njohjen reciproke..

“Nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që ky proces t’i shkaktojë kokëçarje shtetit tonë, dhe rrjedhimisht nuk do të pranojmë asnjë opsion që synon defunksionalizimin e shtetit tonë”, deklaroi Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se shpallja e pavarësisë ka qenë rezultat i luftës çlirimtare, kauzës së drejtë për vetëvendosje dhe solidarizim i botës demokratike.

“Si kryeministër i vendit, e kuptoj dhe e pranoj që njerëzit do të thonë lloj-lloj gjërash çdo ditë për mua. Unë do të mbroj të drejtën e tyre për ta bërë këtë, sepse lufta jonë për liri nuk ishte luftë vetëm për t’u çliruar nga okupimi, por edhe për të jetuar të lirë”, tha Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

Gjatë fjalimit të tij, deputetët e opozitës kanë dalë nga salla e Kuvendit. Opozita e ka kritikuar vazhdimisht Qeverinë Kurti për menaxhimin e situatave, përfshirë krizën me pandeminë dhe atë energjetike.

“Është e papranueshme të mos përmenden akterët kryesorë, nuk mund të zhbëhet ajo që ish-kryeministri Hashim Thaçi ka thirrë seancën e jashtëzakonshme për shpalljen e pavarësisë nuk mund të zhbëhet roli i ish-kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi e as e ish-presidentit Fatmir Sejdiu”, u shpreh Aberald Tahiri, PDK.

“Mos të abuzohet me ditën më të rëndësishme të Kosovës. U kthye në një seancë abuzimi dhe komunikimi politik, një seancë që nuk do të duhej të ishte kështu”, theksoi Besnik Tahiri, AAK.

Qytetarë të shumtë me rastin e 14-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”. Për ta, Prekazi është i shenjtë.

“Prekazi për ne simbolizon çfarë të duash, më mirë ku do ta çosh, këta kanë dhënë jetën për ne që populli të jetë i lumtur dhe i lirë”, u shpreh Sali Nuredini, banor.

“Prekazi është një vend i shenjtë në të cilin kanë dhënë jetën që ne ta gëzojmë sot këtë”, tha Osman Riza, banor.

“Ne duhet te punojmë tash, mirëpo po e shohim edhe vet se kanë sakrifikuar jetën për ditën që e kemi sot”, theksoi Murat Geci, banor.

Për dallim nga shqiptarët, serbët e veriut nuk duan të festojnë pavarësinë e Kosovës

“Ruana Zot, cila pavarësi e Kosovës ju lutem. A jeni të vetëdijshëm çfarë po pyetni. Ne kemi festuar, çfarë pavarësie e Kosovës. Kosova është pjesë e Serbisë”, tha një banore.

“Të jem i sinqertë unë personalisht nuk e festoj. Siç e shihni këtu janë të varura flamujt e Serbisë, dje dhe pardje ka qenë dita e shtetësisë së Serbisë, kështu që njerëzit këtu në veri të Kosovës festojnë ditën e shtetësisë së Serbisë”, deklalroi një banor.

Ndryshe, numër i madh i qytetarëve serbë nga veriu i vendit, vazhdojnë të jenë të punësuar në institucionet kosovare dhe paguhen nga buxheti i Republikës së Kosovës, ndërsa edhe pas 14 vitesh të pavarësisë, mohojnë shtetin në të cilin jetojnë.

Kosova ka shpallur pavarësinë më 17 Shkurt të vitit 2008. Sipas listës së publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Jashme dhe Diasporës, 117 vende të botës e kanë njohur atë. Për 14 vjet shtetësi, Kosova është anëtarësuar në disa organizata ndërkombëtare, përfshirë ato financiare dhe sportive. Kosova nuk është ende anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, Organizatës Botërore të Tregtisë e të tjera./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button