Kosova shtrëngon kontrollet kufitare me Serbinë

Kosova shtrëngon kontrollet kufitare me Serbinë

Kosova i ka shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë. Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se akti i rrëmbimit të 3 policëve të Kosovës një ditë më parë cenon sovranitetin e vendit. Kurti i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të bëjnë trysni mbi Serbinë për të ndalur agresionin ndaj Kosovës, dhe t’i kthejë tre policët e rrëmbyer menjëherë. Sipas tij, me këtë akt policët e Kosovës kanë përjetuar hakmarrjen e Serbisë për arrestimin e Millun Milenkoviq – Lune, të dyshuar për organizimin e protestave të dhunshme në veri në Kosovës.

“Në vendin e ngjarjes kanë qenë KFOR-i, ka qenë Policia e Kosovës dhe aty janë gjetur edhe gjurmët e çizmeve dhe këpucëve të huaja e në drejtim të Serbisë por janë gjetur edhe prangat lidhëse plastike, pra si është e mundur që ata pretendojnë se janë arrestuar policia në Serbi kur lidhëset e tyre të plastikës si pranga janë pikërisht në këtë vendin ku po themi ne…, “ tha Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.

Kurti tha se është “i habitur nga heshtja e KFOR-it.

“Ajo çfarë mua vazhdon të më habisë është fakti që as të nesërmen, me këtë të vërtetë që ne po e shpërfaqim para juve nuk del zyrtarisht KFOR-i. Cili është kuptimi që të nesërmen e një ngjarjeje e cila nuk ishte në mbrëmje por në mesditë, KFOR ende nuk del me shpjegim zyrtar se ku është ky vend, ky vend qartazi është në Republikën e Kosovës, dhe e dini çfarë, edhe në këtë moment ne jemi në atë vend, nuk është Serbia, edhe automjeti, edhe ushqimi që kanë ngrënë policët, gjithçka është thellë në territorin e Kosovës”,  deklaroi Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.

Ngjarja, sipas Policisë së Kosovës ka ndodhur gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.

Ndërkohë Presidenti i Serbisë Alekandar Vuçiq thotë se policët janë kapur në territorin serb. Vuçiq tha se ambasadorëve të vendeve të QUINT-it dhe të BE-së u ka ofruar pamjet e arrestimit të policëve të Kosovës dhe pohoi se autoritetet serbe nuk po i keqtrajtojnë ata. Vuçiq ka kërkuar nga faktori ndërkombëtar të pengojë kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin, që të nisë një tjetër luftë në Ballkan.

“Kam folur me përfaqësues të BE-së dhe të Quintit. U kërkova që të bëjnë gjithçka në fuqinë e tyre për të penguar Kurtin të nisë një luftë tjetër në Ballkan,” shkroi në Twitter Aleksandar Vuçiq, President i Serbisë tuiter.

Në pikën kufitare në Merdare, në territorin e Serbisë, janë duke pritur rreth 60 kamionë për të hyrë në Kosovë. Kurti tha se këto masa tona nuk janë ekonomike apo tregtare, por janë “masa të sigurisë”/alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button