Kosova U21 pëson debakël në “Fadil Vokrri”


Përfunduan pjesën e parë pa gola, por kjo ishte e tëra që lojtarët e Rafet Prekazit arritën në ndeshjen kualifikuese kundër Anglisë U21 në “Fadil Vokrri”.

Përfaqësuesja e rinjve anglezë U21 ka shënuar fitore të thellë prej 6:0 në grupin kualifikues C për Euro 21.

Pjesa e parë përfundoi pa gola, por në 45 minutat e dytë anglezët dominuan në tërësi duke shënuar pa problem gjashtë herë në portën e Florian Smakiqit.

Sulmuesi i Arsenalit Nketiah shënoi het-trik, ndërsa nga një gol shënuan edhe Nelson, Sessengon dhe Bellingham.

Vlen të theksohet se përzgjedhësi i Kosovës, Rafet Prekazi ka pasur telashe të mëdha me formimin e ekipit, për shkak të mungesave të shumta.

Kosova është në vendin e katërt në grupin C, me gjashtë pikë nga gjashtë ndeshje të zhvilluara, prej tyre dy fitore dhe katër humbje. Anglia tash merr kreun e tabelës me 15 pikë nga pesë ndeshje të zhvilluar me po aq fitore.

Në grup bëjnë pjesë edhe Austria, Shqipëria, Andorra dhe Turqia.

LEXO EDHE:

Back to top button