Kosovë, edhe një përpjekje për zgjedhjen e Presidentit

Kuvendi i Kosovës edhe sot do të vazhdojë përpjekjen që të zgjedhur Presidentin. Kjo pas dy tentimeve të dështuara gjatë ditës së djeshme, për të siguruat 80 votat e domosdoshme. Vjosa Osmani dhe Nasuf Bejta janë dy kandidatët e propozuar për president nga Lista “Guxo”. Mediat në Kosovë njoftojnë se kryeministri Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, sot janë aktivizuar në sigurimin e votave. Kurti ka takuar deputetin e partisë së goranëve Adem Hoxha, me të cilin nuk kanë arritur marrëveshje edhe në takimet e zhvilluara ditë më parë.

Nga ana tjetër, opozita akuzon Kurtin dhe Osmanin se janë vënë në gjah të deputetëve të tyre. Zëdhënësi i PDK-së Avni Bytyçi ka thënë se një natë më parë Vetëvendosje kanë kontaktuar dy deputetë të PDK-së duke u përpjekur që të bëjnë pazare në këmbim të votave.

Të shtunën, Kuvendi i Kosovës u mblodh për ta zgjedhur të parin e shtetit, por nuk arriti pasi mungonin 80 votat e nevojshme në kuti, ndonëse në sallë kishte kuorum prej 82 deputetësh.

Në dy votimet e para votuan 78, respektivisht 79 deputetë, përfshirë këtu edhe Albena Reshitajn e AAK-së, e vetmja deputete e kësaj partie që mori pjesë në seancë.

Edhe pse Lidhja Demokratike e Kosovës ia kishte premtuar Osmanit bërjen e kuorumit, deputetët Avdullah Hoti, Agim Veliu dhe Driton Selmanaj, nuk morën pjesë në votim.

Dështimi i rrethit të tretë të votimit për President do të nënkuptonte automatikisht zgjedhje të reja parlamentare. Zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të mbahen brenda 45 ditësh. Por, nëse nuk arrihet zgjedhja e Presidentit në Kosovë, atëherë nuk do të ketë as kush t’i shpallë zgjedhjet, pasi nuk ka ushtrues detyre të presidentit.

Mefail Ismaili

LEXO EDHE:

Back to top button