Kosovë, një muaj larg zgjedhjeve të reja – Kurti: Nuk kemi situatë të re

Një muaj deri në zgjedhjet e reja në Kosovë, kryeministri Albin Kurti tha se nuk ka situatë të re por vetëm zgjedhje të përsëritura. Ai tha se 7 qershori do të tejkalojë rezultatin e 28 dhjetorit. Kurti ka thënë se mirëpret çdo kë që ka ambicie politike e vizion për qytetarët për të garuar në zgjedhje, por ka theksuar se nuk duhet ngatërruar dëshirat me fakte, teksa u pyet për ofertën e mundshme të LDK-së për zgjedhjet e 7 qershorit, me kryetarin Lumir Abdixhiku si kandidat për kryeministër e Vjosa Osmanin si kandidate për presidente. Kurti tha se nuk duhet harruar se si ka vendosur populli para katër muajve. E për çështjen e pozitave si kryeministër e president, ai ka thënë se për këtë vendos populli e jo ndonjë kryetar partie apo pretendent për ndonjë post, duke aluduar tek Osmani. Sa i përket rezultatit që pret të dielën e 7 qershorit, Kurti tha se “sa herë na kanë vënë diga është rritur prurja”.

“Të gjithë që kanë ambicie politike, duan pushtet, kanë vizion e ide për të mirën e qytetarëve le të angazhohen, le të punojnë me çka dinë e munden dhe ju dëshiroj sukses. Por, duhet ta keni parasysh që për këtë gjë nuk vendos asnjë kryetar partie, asnjë pretendent për çfarë do posti, për këtë vendos populli. Dhe mos harroni qysh ka vendosur populli para katër muajsh, pra populli në zgjedhjet e 28 dhjetorit 51.1 për qind, jo 50 për qind po 51, jo 51, por 51.1 për qind ja dha Lëvizjes Vetëvendosje me ç’rast ne ju ofruam shumë pranë asaj shifrës 500 mijë vota apo 500 mijë zemra siç themi ne….. Besoj që qytetarët e Republikës e kanë kuptuar që çdo herë kur përpiqesh të ja vësh digën një rrjedhe socio-historike e politike qysh është Lëvizja Vetëvendosje, atëherë do të ketë gjithnjë e më shumë prurje. Sa herë na kanë vënë diga është rritur prurja. E tash bash saktësisht sa do të jetë, do ta marrim vesh në mbrëmjen e 7 qershorit,” deklaroi Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

LEXO EDHE:

Back to top button