Kosovë: Njohësit e ekonomisë vlerësojnë se 100 euroshi i Qeverisë është i pamjaftueshëm

Qeveria nuk ka interesim në ringjalljen e situatës ekonomike, ndërsa paralajmërimi për mjete shtesë me vlerë prej 100 Euro, për një kategori të qytetarëve, po konsiderohet si mashtrim i masës.

Kështu po vlerëson ekonomisti Mustafë Kadriaj, i cili për klankosova.tv, po thotë se kjo qeveri, po luan me ndjenjat e kategorive që nuk kanë të hyra, e që lehtë mund të manipulohen.

”Po shihet që kjo qeveri nuk ka interesim në pako ekonomike, për ta ringjallur dhe këndellur ekonominë, por thjeshtë një mashtrim i masës. Është duke luajtur me ndjenjat e kategorisë sociale, siç janë pensionistët dhe studentët, të cilët nuk kanë të hyra, dhe mund të jenë të manipuluar, nga ana thjesht populiste e qeverisë, por kjo nuk i bën mirë as qeverisë por as ekonomisë së vendit, sepse nuk ka nevojë qytetari dhe ekonomia e Kosovës për kësi loja”.

Kadriaj pohon se qeveria duhet të merret më shumë te pakoja ekonomike duke përkrahur bizneset dhe punëtorët me një vlerë më të madhe, ku do të këndellej ekonomia dhe do të kishte ndikim tek të gjitha aspektet e jetës.

Se kjo është një zgjidhje afatshkurtër po e thotë për klankosova.tv edhe ekonomisti tjetër, Safet Gërxhaliu, anise u shpreh se kjo iniciativë e qeverisë, duhet përshëndetur.

”Është e vërtetë se situata sociale në Kosovë, nuk është në nivelin e duhur, por duhet përshëndetur këtë iniciativë të zotrit Kurti, për të ndihmuar bizneset dhe punëtorët e sektorit privat, në veçanti rastet sociale”.

”Por, do të kuptohet se një hap i tillë është një hap afat-shkurtër”, shton ai.

Gërxhaliu specifikon se Kosovës i duhet një zgjidhje për afat më të gjatë dhe sipas tij ka alternativa më të mira.

”Kosova ka një nevojë për një zgjidhje të këtij problemi në afat-mesëm dhe afat-gjatë, në këtë drejtim besoj që alternativa më e mirë është lëvizja në politikat fiskale, qoftë në akcizë, qoftë në tatimin e vlerës së shtuar”.

”Është një hap i rëndësishëm, por, brenga kryesore duhet të jetë; Çka pas një muaji? – do ta kemi kërkesën e punëtorëve për një pagë të tillë për 100 euro, a do të mund të mund sektori privat ta realizojë? Dhe e dyta duhet të kemi kujdes që këto para të hidhen drejtpërdrejt te kontot e punëtorëve dhe jo të deponohen te pronarët e kompanive, dhe ato të hiqen nga pagat reale. Prandaj është një hap që duhet të përshëndetet, por besoj se duhet të mendohet në një periudhë më të gjatë”, shtoi ai.

Ndërsa pavarësisht veprimeve të ekzekutivit qeveritar, njohësi i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, thotë se çdo dorëzim mjetesh që behet në llogari të qytetarëve, është e mirëseardhur.

Por, Kadriaj përmend faktin që krahasuar me kategorinë e punëtorëve, dallimi është jashtazakonisht i madh, meqë jo secili prej tyre merr pagë të njëjtë.

”Çdo pagesë që bëhet në llogari të qytetarëve, pa marrë parasysh, se në cilën kategori është diçka e mirëseardhur. Për faktin se sado pak për një muaj bëhet një zgjidhje e momentit. Duhet ta kemi të qartë kemi një dallim jashtëzakonisht të madh, kemi punëtorë të sektorit publik, dhe privat të cilët kanë paga jashtëzakonisht diferenciale, për faktin se kemi pagë në sektorin publik deri në 5 mijë euro, po ashtu në sektorin privat mundet me qenë, por është edhe paga minimale 130 euro ose 170, dallimi është jashtëzakonisht i madh për faktin se këtyre ju shtohet vetëm 100 euro dhe nuk është që bën zgjidhje”.

”Ndërsa ata kanë paga të lartë, në të vërtetë nuk kanë nevojë për një pagë 100 euro sepse nuk mundet me hy në kategorinë sociale, një i punësuar që merr një pagë p.sh tre mijë euro ose pesë mijë euro ose diçka të ngjashme 1000, është diçka e pakuptimtë, krejt çka mundet me ndiku është te pensionistët dhe studentët është diçka e mirëseardhur, tek punëtorët nuk bën zgjidhje dhe me këtë sjellje qeveria nuk po bën asnjë zgjidhje, por vetëm një mashtrim i momentit. Por, në afatgjatë, nuk është një pako sociale për tre muaj, por vetëm një muaj, kjo nuk bën zgjidhje”, shtoi ai.

E sa i përket pakove sociale, ekonomisti Gërxhaliu rekomandon që Kosova duhet të ndjekë shembujt e vendeve të rajonit me eksperiencat e tyre në këto situata.

”Përvojat e vendeve të rajonit, por edhe evropiane kanë bërë me të vërtet efekte pozitive, është punuar në disa dimensione, dimensioni i parë kanë qenë hartat për mbështetje të drejtpërdrejtë, dimension i dytë ka qenë lëvizja në politikën fiskale, në heqjen e akcizës, dhe produktet strategjike dhe uljen e TVSH-së në produktet elementare, prandaj në këtë drejtim duhet të mendohet për një periudhë tremujore dhe gjashtëmujore”.

Sipas tij në këtë drejtim, Kroacia e Maqedonia e Veriut por dhe vendet tjera, kanë pasqyrë të mirë të menaxhimit të këtyre krizave.

Ndryshe, sot kreyministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin e Financave, Hekuran Muratin, në një konferencë për media, prezantuan masa të reja mbështetëse sipas tyre në kuadër të pakos së ringjalljes ekonomike.

Këto masa mbështetëse përfshijnë: dyfishim të asistencës sociale për muajin prill, 100 euro shtesë për të gjithë pensionmarrësit për muajin prill, 100 euro për 300 mijë punëtorët e sektorit privat, 100 euro për 80 mijë punëtoret e sektorit publik, 100 euro për 80 mijë studentët.

Vlera totale e këtyre masave është mbi 100 milionë euro dhe nga këto masa e kjo shumë do të përfitojnë rreth 800 mijë qytetarë ose praktikisht secila familje e Kosovës.

LEXO EDHE:

Back to top button