Kosovë-Serbi, PE-ja kërkon njohje reciproke

Kosovë-Serbi, PE-ja kërkon njohje reciproke

Gazetar: Shkëlzen Aqifi

Komisioni i Parlamentit Evropian për Politikë të Jashtme (AFET), për herë të parë i ka kërkuar Beogradit që në marrëveshjen përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të “bazohet në njohjen reciproke”. Raportuesi për Serbinë, Vladimir Bilçik, i cili vjen nga Sllovakia, shtet ky që nuk e ka pranuar Kosovën, e ka kundërshtuar një formulim të tillë.

Pas votimit në Komision, raportet për Kosovën, Serbinë dhe Bosnjën do të diskutohen dhe do të miratohen në korrik si rezoluta të Parlamentit Evropian. Në raport përfshihet edhe mbështetja ndaj kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, sikur edhe thirrja për pesë vendet anëtare të bllokut evropian, të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë një gjë të tillë.

Si Kosova, ashtu edhe Serbia, janë paralajmëruar se është i domosdoshëm zbatimi i plotë i të gjitha marrëveshjeve të mëparshme, përfshirë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Në raport theksohet se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave që në vitin 2018, por akoma nuk është miratuar vendimi për liri të lëvizjes. Ministri i jashtëm i Austrisë Aleksandar Shallenberg i cili qëndroi për vizitë zyrtare në Kosovë tha se liberalizimi i vizave duhet të ndodhë sa më parë.

“…të bëhet liberalizimi i vizave për Kosovën. Jeni shteti i vetëm i cili është pjesë e programit i cili ende nuk e ka liberalizimin e vizave, natyrisht që edhe në samitin e radhës do të shpreh këtë gjë”, tha Aleksandar Shallenberg, Ministër i jashtëm i Austrisë.

Ministrja e jashtme e Kosovës Donika Gërvalla tha se dialogu mund të përfundojë shpejtë nëse Serbia nuk e bllokon procesin.

“Me Homologun Schallenberg folëm edhe për dialogun që Republika e Kosovës po e zhvillon me Serbinë rreth njohjes së ndërsjellë. Duke vënë në pah edhe propozimet tona shumë konkrete, nënvizova gatishmërinë dhe seriozitetin tonë në këtë proces i cili do të mund të përfundonte shumë shpejtë nëse Serbia do të hiqte dorë nga pozicioni i saj për bllokimin e procesit”, u shpreh Donika Gërvalla, Ministre e Jashtme e Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Serbia është e gatshme të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën për personat e zhdukur në luftë.

“Ne jemi të gatshëm të nënshkruajmë marrëveshje për personat e pagjetur. Jemi të vetëdijshëm se duhet të jetojmë pranë njëri-tjetrit”, tha Aleksandar Vuçiq, President i Serbisë.

Ekipet nga Kosova dhe Serbia janë takuar disa herë për të diskutuar çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, më 1998-99. Kjo çështje është ngritur edhe në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, i cili zhvillohet në Bruksel, me ndërmjetësimin e BE-së. Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë rreth 13,000 njerëz, janë zhvendosur mbi 800,000, ndërsa janë zhdukur rreth 6,000. Të zhdukur, edhe sot e kësaj dite, mbeten ende mbi 1,600 persona. Qindra trupa të shqiptarëve të vrarë të Kosovës janë gjetur në varrezat masive në Serbi./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button