Kosovë, vazhdojnë këshillimet për datën e zgjedhjeve të parakohshme

Kosova po e mbyllë vitin me një situatë të paqartë politike dhe tashmë ndodhet në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Postet kryesore të vendit udhëhiqen nga ushtrues detyre pas zhvillimeve të muajve të fundit.

Posti i presidentit të vendit ushtrohet nga kryetarja e parlamentit Vjosa Osmani pas dorëheqjes së ish presidentit Hashim Thaçi i cili tashmë ndodhet në paraburgim në Hagë si i akuzuar për krime lufte.

Kryeministri është po ashtu në detyrë pasi që Gjykata Kushtetuese të hënën e shpalli të pavlefshëm votimin e qeverisë së Kosovës të drejtuar nga Avdullah Hoti, ndërsa kërkoi që vendi të shkojë në zgjedhje jo më larg se 40 ditë nga data e shpalljes së tyre.

Për të dytën ditë me radhë ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, zhvilloi këshillime me partitë politike në kërkim të një date për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare

Të mërkurën ajo takoi përfaqësuesit e Nismës Socialdemokrate, deputetët e partive të komuniteteve tjera pakicë, Listës Serbe etj.

Endrit Shala nga Nisma Socialdemokrate tha se zgjedhjet e ardhshme pritet të mbahen në fillim të muajit shkurt.

“Gjitha parashikimet, fillimi i shkurtit do të ishte data ideale për mbajtjen e zgjedhjeve për parlamentin e Kosovës”, tha zoti Shala.

Të mërkurën, Partia Demokratike e Kosovës, shpalli se kandidat i saj për kryeministër është Enver Hoxhaj, aktualisht ushtrues detyre i kryetarit të kësaj partie.

LEXO EDHE:

Back to top button