Kovaçevski për 100 ditëshin e qeverisë së tij: I menaxhuam krizat me sukses
Kovaçevski për 100 ditëshin e qeverisë së tij: I menaxhuam krizat me sukses
Gazetar: Lluka Andreev
“Kishim njëqind ditë sfida të ndryshme, por në fund Maqedonia e Veriut do të dalë fitimtare”, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski, në seancën solemne me rastin e 100 ditëvs të punës së kabinetit qeveritar, shkruan Alsat.
Ai tha se qëllimi kryesor i ekipit të tij ka qenë ruajtja e standardit jetësor të qytetarëve, në kushtet e krizës shëndetësore, energjetike, ekonomike dhe ushtarake.
“Ne kemi siguruar pagesën e pandërprerë të të gjitha obligimeve nga Buxheti, kemi siguruar rritje të të hyrave, kemi siguruar mbështetje për investime, në bujqësi… Kemi bërë gjithçka që një Qeveri duhet ta bëjë për qytetarët e saj në kohë krize, sepse shteti duhet të jetë këtu për qytetarët, për ta. Këto janë ditë të vështira, dhe ne sot jetojmë ditë të vështira. Faleminderit të gjithëve për punën e vështirë, do të vazhdojë të jetë e vështirë edhe më tej…”, tha Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.
Kovaçevski i vlerësoi si vendime historike rritjen e pagës minimale në 18 mijë denarë dhe metodologjinë e re për llogaritjen e pensioneve, që sivjet pensionistët do të kenë dyqind euro më shumë në buxhetin e tyre. Njëkohësisht, ai përkujtoi pakon e masave kundër krizës prej 400 milionë eurove, dhe theksoi se fokusi i Qeverisë do të mbetet siguria ekonomike.
“Me këto masa kundër krizës, faturat e qytetarëve janë më të ulëta për rreth katër mijë denarë në muaj. Po të mos ishin masat si ulja e TVSH-së, nga pesë për qind në zero për qind të produkteve bazë ushqimore, qytetarët do të duhej të paguanin 1500 denarë më shumë në muaj”, u shpreh kryeministri.
Kryeministri theksoi se Maqedonia tashmë e ka harmonizuar plotësisht politikën e saj të jashtme me atë të BE-së, dhe kërkoi fillimin e negociatave për anëtarësim me Brukselin. Sipas tij, zgjerimi i Unionit me vendet e Ballkanit Perëndimor tani është me interes gjeostrategjik.
“Në kushtet e pushtimit rus të Ukrainës dhe sigurisë së trazuar evropiane, Maqedonia e Veriut qëndronte në anën e duhur të historisë”, tha Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.
Duke folur në seancën solemne, Kovaçevski vlerësoi realizimin e një sërë projektesh të iniciuara, nga Qeveria e paraardhësit të tij, Zoran Zaev. Pas kalimit të njëqind ditëve, pritet që këtë të enjte për herë të parë të caktohet seancë për pyetje të deputetëve në kabinetin e Kovaçevskit./ Alsat.mk








