Kovaçevski: Shërbimet po hetojnë se kush ka punuar kundër marrëveshjes me Bullgarinë
Gazetar: Luka Andreev
Shërbimet e sigurisë po hetojnë pretendimet për individë që kanë punuar kundër një marrëveshjeje të mundshme me Bullgarinë. Një ditë më parë ministri i jashtëm Osmani tha se disa nga këta persona janë të punësuar në institucionet e vendit dhe kanë kontaktuar me zyrtarë bullgarë, duke i siguruar se nuk ka nevojë të bëhen përpjekje për avancimin e dialogut, shkruan Alsat.
“Kemi pasur informacione që nga dita e parë kur ka ndodhur, por janë dorëzuar në shërbimet e sigurisë, të cilat po merren me atë çështje. Nuk mund t’i zbuloj detajet, sepse është informacion i klasifikuar. Atë informacion e kishin edhe në Republikën fqinje të Bullgarisë”, tha Dimitar Kovaçevski – Kryeministër
Kovaçevski nuk u përgjigj nëse të përmendurit janë larguar nga vendet e punës.
Kolegu i tij, Kiril Petkov, nga ana tjetër, tha se tre zyrtarë bullgarë kanë punuar për përkeqësimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me Maqedoninë. Njëri prej tyre ishte i punësuar në Ministri dhe dy të tjerët ishin agjentë në Agjencinë Shtetërore të Sigurisë Kombëtare. Ata janë shkarkuar dhe po hetohen për lidhje me shërbimet ruse.
“Nuk kam pse të mos i besoj kryeministrit bullgar, sepse ai e tha në mënyrë shumë transparente në masën që mund të thuhet, duke qenë se janë informacione dhe hetime të klasifikuara”, tha Dimitar Kovaçevski- kryeministër
Kovaçevski dhe Petkov së fundi kanë përmendur se ka grupe dhe individë që duan që Shkupi dhe Sofja të mos arrijnë marrëveshje, me qëllimin përfundimtar që të mos zgjerohet Bashkimi Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor. /Alsat.mk








