Krejt çka ndodhi sot në Tiranë – Nga nënshkrimi i marrëveshjeve deri te thirrja për t’u bashkuar edhe vendet tjera

Gazetare: Fatlume Dervishi

Nuk ka kthim nga procesi i filluar i Ballkanit të hapur, edhe nëse vendet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor nuk i bashkohet nismës, shkruan Alsat.

Në Tiranë, kryeministri Zoran Zaev, kryeministri shqiptar Edi Rama dhe Presidenti Aleksandar Vuçiq, firmosën marrëveshje në fushën ekonomike për të cilat thanë se do të fillojnë të zbatohen nga janari i vitit të ardhshëm.

Marrëveshja për tregun e lirë të punës sanksionon të drejtën e qytetarëve të të treja vendeve për të pasur qasje të menjëhershëm dhe të barabartë për lejet e punës dhe të qëndrimit. Marrëveshja për sistemin e integruar elektronik të shërbimeve i hap rrugën krijimit të një sistemi të përbashkët elektronik për t’i dhënë mundësi qytetarëve për shërbime administrative elektronike. Marrëveshja tjetër u hap rrugën prodhuesve, eksportuesve, importuesve të produkteve që nga janari i vitit të ardhshëm të kalojnë lirisht në kufijtë dhe doganat respektive pa pasur nevojë që të sigurojnë tre herë të njëjtat dokumenta. Marrëveshje po ashtu bën të mundur që të çelet importi dhe eksporti i kafshëve të gjalla.

Liderët thanë se kanë rënë dakord që në çdo takim të këtij lloji të bëjnë ftesë për tre vendet e tjera, Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjë e Hercegovinën, të bëhen pjesë e Ballkanit të hapur. Por, nëse kjo nuk ndodh, nikoqiri i takimit Rama, tha se tre vendet vazhdojnë përpara.

“Ballkani i hapur nuk ndalet, e para. E dyta; Ballkani i hapur është interes strategjik i Shqipërisë dhe shqiptarëve përtej interesit të përbashkët rajonal dhe është interes i çdo vendi patjetër. E treta; do të vijnë në Ballkanin e hapur po ju them, vetëm se do të humbasin kohë. Kush të humbasë më shumë kohë, do të humbasë më shumë nga ajo që ndërkohë vendet që janë këtu, do të fitojnë. As nuk do ta ndalim Ballkanin e Hapur, as nuk do ta ndryshojnë dot trajektoren që tani më nuk kthehet mbrapa. Kaq e thjeshtë është kjo”, tha Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.

Kryeministri Zaev, deklaroi se edhe pasardhësi i tij Dimiar Kovaçevski do të vazhdojë politikën aktuale në raport me Ballkanin e hapur. Kovaçevski shoqëroi Zaevin gjatë aktiviteteve dyditore në Tiranë.

“Unë besoj se numri do të rritet në kuadër të Ballkanit të hapur. Kjo është nismë e hapur dhe të gjithë biem dakord se tre janë më mirë se sa një. Sigurisht, gjashtë është më mirë se sa tre. Do t’ju bëja thirrje të gjithëve që të mbeteni të fokusuar sepse Ballkani I hapur nis të bëhet një nismë tërheqëse, brend tërheqës sepse është në të mirë të qytetarëve të të tre vendeve. Ballkani i hapur është një proces I pakthim. Nuk ka asnjë arsye për t’u larguar nga ky udhëtim i cili ekskluzivisht kërkon të nxisë bashkëpunimin e njerëzve në rajon”, u shpreh kryeministri Zoran Zaev.

Çështjet e hapura politike me Prishtinën Vuçiq tha se do t’i zgjidhë në Bruksel, por nuk ka asgjë kundër që ajo t’i bashkohet tryezës.

“Nuk mendoj që është produktive për mua që t’i ftoj sepse në momentin që do të ftoj dikë nga Prishtina do të thonë se në momentin që e bën ai ftesën, ne nuk do të vijmë por në qoftë se më pyesni nëse do ta kisha problem që ato të shfaqeshin apo në qoftë se do ta zgjidhnim statusin e çështjes politike, kjo është në juridiksionin e dialogut në Bruksel, por sa u takon çështjeve ekonomike dhe lirive të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave, të jemi së bashku në kuadër të Ballkanit të hapur, nuk kemi asnjë problem për këtë”, theksoi Aleksandar Vuçiq, President i Serbisë.

Samiti i ardhshëm i Ballkanit të hapur është në shkurt të vitit të ardhshëm në Shkup./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button