Krerët e institucioneve të shtetit dhe liderë të partive politike, kanë uruar festën e Pashkëve
Krerët e institucioneve të shtetit dhe liderë të partive politike, kanë uruar festën e Pashkëve

Gazetar: Avni Tahiri
Krerët e institucioneve të shtetit dhe liderë të partive politike, kanë uruar festën e Pashkëve. Në urimin e presidentes së shtetit, Gordana Siljanovska Davkova, thuhet se kjo festë frymëzon që qytetarët të kultivojnë dhe japin dashuri kujtdo dhe kudo.
“Fakti që këtë vit të gjithë të krishterët festojnë Pashkët në të njëjtën datë, le të jetë një nxitje për bashkim si këtu, ashtu edhe në mbarë botën. Besoj se të frymëzuar nga festa e madhe, do të gjejmë energji dhe forcë për të përballuar të gjitha sfidat dhe tundimet, duke u solidarizuar dhe bashkuar”, tha Gordana Siljanovska Davkova – Presidente e RMV-së.
Kryetari i kuvendit, Afrim Gashi thotë se festat kujtojnë për vlerat e përbashkëta.
“Mesazhi i pashkëve është një mundësi për t’u kujtuar sërish se vlerat e përbashkëta si respekti i ndërsjellë, solidariteti dhe mirësia njerëzore janë thelbësore për përparimin e çdo shoqërie”, u shpreh Afrim Gashi – Kryetar i kuvendit të RMV-së.
Kryeministri Hristijan Mickoski në një mesazh urimi për besimtarët që kremtojnë Pashkët, ndër tjerat ka uruar që kjo festë të sjellë gëzim shpirtëror, paqe dhe bekime në çdo familje.
“Drita e Ringjalljes le të jetë udhërrëfyese në përpjekjet tona të përbashkëta për të ndërtuar një shoqëri të drejtë dhe humane”, uroi Hristijan Mickoski – Kryeministër.
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, thotë se festa e sotme jep forcë dhe sjell shpresë për fillime të reja e më të mira, për përballje me sfidat.
“Simbolika e Pashkëve, e cila feston fitoren e jetës mbi vdekjen, mbart një mesazh të fortë për rëndësinë e respektit dhe kujdesit të ndërsjellë. Këto vlera janë themeli për krijimin e një shoqërie më të mirë për të gjithë, përmes veprave të mira dhe përkushtimit”, tha Venko Filipçe – Kryetari i LSDM-së.
Për festen e Pashkëve, edhe lideri I BDI-së, Ali Ahmet, në urimin e tij ndër tjetar ka shkruar që Frymën e bashkëjetesës mund ta ruajmë duke u respektuar të gjitha komunitet mes vete.
“Kjo ditë feste është simbol i shpresës, jetës dhe fitores së dritës mbi errësirën, festë që na bashkon rreth vlerave universale të dashurisë, solidaritetit dhe faljes. Frymën e bashkëjetesës mund ta ruajmë duke u respektuar të gjitha komunitet mes vete”, tha Ali Ahmeti – Kryetar i BDI-së./Alsat.mk