Kreu i ri i LSDM-së kompleton ekipin partiak
Kreu i ri i LSDM-së kompleton ekipin partiak

Gazetar: Lluka Andreev
Në fillim të javës së ardhshme do të mësohet kryesia e re e LSDM-së, shkruan Alsat.
Sipas informacioneve, tashmë është e sigurt se propozimi i kryetarit të ri Dimitar Kovaçevski, për sekretar të përgjithshëm është Mile Zeçeviq, ndërsa në garë për pozitën e zëvendëskryetare mbetet Sanja Lukarevska.
Do të zgjidhen edhe katër nënkryetarë. Këtu përmenden emrat e ish-kryetarit të Karposhit, Stefan Bogoev si përfaqësues nga Shkupi, ndërsa në këtë pozitë pritet të gjendet edhe kryetari aktual i Komunës së Vallandovës, Pero Kostadinov.
Fatmir Bytyqi me gjasë vazhdon të mbetet nënkryetar i LSDM-së, ndërsa emri i gruas që do të jetë në këtë funksion ende po diskutohet. Sekretar për bashkëpunim ndërkombëtar i partisë duket se do të vazhdojë të jetë Bojan Mariçiq. Socialdemokratët do t’i shqyrtojnë këto propozime në seancën e Këshillit Qendror, që do të mbahet të hënën.
“Propozimet do t’i japë kryetari deri te anëtarët e Këshillit Qendror. Anëtarët e Këshillit Qendror do të votojnë për propozimin e Dimitar Kovaçevskit, për zgjedhjen e kryesisë së re”, tha Stefan Vasev, LSDM.
Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE do ta lërë për pas pushimeve çështjen e ndryshimeve në kryesi, por nuk priten ndryshime të mëdha.
Kryetari Hristijan Mickoski, para pak kohësh ka paralajmëruar se partia do të jetë e hapur për ekspertë dhe profesionistë, të cilët pritet të plotësojnë pozitat në Komitetin Ekzekutiv, i cili pas Kongresit është “shpërbërë” dhe do të marrë kuadro të reja.
Partia ka dy nënkryetarë, Vllado Misajlovskin dhe Aleksandar Nikoloskin, të cilët do të qëndrojnë në funksionet, por kjo përbërje pritet të zgjerohet dhe të kenë kolegë të rinj. Sipas informacioneve partiake, Gjorgjija Sajkoski do të vazhdojë të jetë sekretar i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, pasi ka rezultuar i suksesshëm si shef i shtabit zgjedhor në zgjedhjet lokale, kur partia opozitare doli fitimtare./ Alsat.mk