Kriza ekonomike, Ademi: Situata po menaxhohet mirë
Deputeti i BDI-së Arbër Ademi i ftuar në emisionin “Rruga drejt”, për të biseduar rreth ndikimit të krizës ukrainase në ekonominë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, tha se qytetarët dhe opinioni me të drejtë janë të shqetësuar, por sipas tij Qeveria mirë po e menaxhon situatën. Ademi me këtë rast nënvizoi pakon e masave të miratuara një ditë më parë nga Qeveria.
“Tash invazioni dhe veprimet ushtarake në Ukrainë, sigurisht që po e rëndojnë situatën ekonomike, kemi një destabilizim ekonomik në gjithë kontinentin evropian por dhe më gjerë….Të gjitha çështjet që po i ngitni dhe të cilat një pjesë e opinionit po i ngrit janë legjitime. Do të thoja me shumë të drejtë opinioni, qytetarët ngrisin çështjet që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me gjendjen e tyre financiare dhe këtij shoku të çmimeve me të cilat po përballemi. Por megjithatë do të thoja se situata tek ne po menaxhohet mirë. Mjafton të shikojmë pakon e masave, 26 masa që u miratuan dje në Qeveri, një pjesë e të cilave do të vij në Kuvend, shohim një qasje të përgjegjshme, ndërgjegjshme të institucioneve të vendit dhe të klasës politike qeverisëse për të përballuar më lehtë qytetarët gjithë këto zhvillime dramatike në sferën ekonomike”, tha Arbër Ademi, deputet i BDI-së./Alsat.mk








