Kriza me ujin në Gostivar, LSDM dhe E Majta kërkojnë përgjegjësi institucionale

Gazetare:  Melihate Rustemi

LSDM-ja akuzon qeverinë për paaftësi në menaxhimin e krizës me ujin në Gostivar, duke theksuar se banorët e qytetit prej pesë javësh nuk kanë ujë të sigurt për përdorim. Maja Borozan nga LSDM-ja tha se rreth 5.000 qytetarë kanë përfunduar në spitale me probleme shëndetësore, ndërsa, sipas saj, vazhdojnë të regjistrohen raste të reja dhe raste të riinfektimit. Ajo kritikoi kryeministrin Hristijan Mickoski dhe ministrin e Shëndetësisë, Sasho Klekovski, duke i akuzuar se nuk kanë reaguar në mënyrë adekuate ndaj krizës. Sipas saj, Mickoski nuk e ka vizituar Gostivarin gjatë krizës, ndërsa qytetit i janë dërguar vetëm disa cisterna me ujë.

“Nga deklaratat e Mickoskit dhe Klekovskit se problemi do të zgjidhej „shumë shpejt“, rezultati është: 5.000 njerëz të helmuar, raste të riinfektimit, spitali në Gostivar i prekur nga infeksioni, pacientë që transferohen në Tetovë, epidemi e verdhëzës dhe mungesë e personelit mjekësor. Nuk ka skandal më të madh dhe as papërgjegjshmëri më të madhe sesa të luash në këtë mënyrë me jetën e qytetarëve. Me sa duket, Gostivari po pret që Mickoski dhe Klekovski të kthehen nga ekskursioni”, tha Maja Borozan nga LSDM.

E Majta akuzon institucionet përgjegjëse për dështim në kontrollin e ujit të pijshëm në Gostivar dhe kërkon përgjegjësi personale për të gjithë personat e përfshirë në procesin e kontrollit dhe verifikimit të cilësisë së ujit. Sipas E Majta, më 29 qershor Qendra për Shëndet Publik në Tetovë ka lëshuar një mendim profesional në të cilin thuhej se uji i përmbushte kërkesat ligjore dhe profesionale. Partia pretendon se në atë periudhë pompat problematike tashmë ishin vendosur dhe uji i kontaminuar kishte hyrë në sistemin e furnizimit me ujë.

“Një tjetër konstatim se uji ishte i sigurt, është dhënë më 13 korrik. Vetëm një ditë më vonë, qytetarë të shumtë nisën të kërkonin ndihmë mjekësore për simptoma si diarre, të vjella, temperaturë dhe dobësi të përgjithshme. Si është e mundur që dy analiza të njëpasnjëshme të kenë dhënë rezultat pozitiv, ndërsa më pas është konstatuar kontaminim i ujit dhe janë regjistruar raste të shumta të sëmundjeve”, thuhet në reagimin e partisë E Majta.

E Majta kërkon gjithashtu përgjegjësi nga Instituti i Shëndetit Publik, Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet e tjera të përfshira në kontrollin dhe mbikëqyrjen e ujit, ndërsa kërkon edhe përfshirjen e Inspektoratit Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor dhe një hetim më të plotë nga Prokuroria.

LEXO EDHE:

Back to top button