Uji i pijshëm rikthehet në Gostivar, por një pjesë e qytetit ende pa furnizim

Gazetare: Melihate Rustemi

Banorët e Gostivarit nga sot, 14 gusht 2026, mund ta përdorin sërish ujin nga rrjeti i qytetit për pije. Drejtori i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, Oliver Millanov, sqaroi se vendimi për rikthimin e ujit për konsum vjen pas rezultateve të kënaqshme të analizave laboratorike të kryera nga Instituti i Shëndetit Publik dhe laboratori i NP „Ujësjellësi dhe Kanalizimi“ – Shkup. Sipas Millanovit, uji ka qenë mikrobiologjikisht i rregullt që javën e kaluar, por gjatë analizave ishte konstatuar prani e rritur e klorit rezidual, mbi kufijtë e përcaktuar me rregullore. Për ujin e pijshëm, niveli i lejuar i klorit rezidual është nga 0,2 deri në 0,5 miligramë për litër.

“Uji ishte mikrobiologjikisht i rregullt që nga fundi i javës së kaluar, por gjatë analizave të kryera u konstatua një sasi e rritur e klorit rezidual, mbi kufijtë e përcaktuar me rregulloren për kërkesat e cilësisë së ujit të pijshëm, nga 0.2 deri në 0.5 miligramë për litër. Rritja e nivelit të klorit rezidual ishte rezultat i dezinfektimit të kryer të ujit të pijshëm, si masë për garantimin e sigurisë së tij mikrobiologjike”, tha Oliver Millanov, drejtor I Agjencisë për ushqim dhe veterinari.

Mostrat janë marrë nga shtatë pika matëse në sistemin e ujësjellësit të Gostivarit, të hënën në mëngjes dhe në mbrëmje, si dhe të martën në mëngjes. Në procesin e kontrollit kanë marrë pjesë edhe NP „Komunalec“ Gostivar dhe Qendra për Shëndet Publik në Tetovë, së bashku me Institutin e Shëndetit Publik dhe Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari.

“Sot më e rëndësishmja është se kjo krizë po përfundon me një lajm të mir për qytetarët e Gostivarit. Uji I sistemit të ujsjellësit është I sigurt për pije dhe qytetarët mund ti rikthehen përdorimit të tij normal”, theksoi Zudi Xhelili nga Shtabi Lokal I Krizës

Por, përtej faktit që uji nga sot është sërish i sigurt për pije, mbetet e hapur edhe çështja e përgjegjësisë për atë që ndodhi gjatë javëve të kaluara. Nga Qendra për Sëhndet Publik thonë se kanë bërë analiza të rregullta dyjavore sipas kontratës që kanë dhe kanë informuar institucionet për rezultatet. Ata thonë se rezultate tashmë janë pjesë e hetimit të prokurorisë.

Stojanç Angellov nga Shtabi I Krizës tha se mënyra e menaxhimit të ujësjellësit nga autoritetet lokale ishte e papranueshme dhe se Prokuroria Publike dhe gjykata duhet të përcaktojnë nëse dikush ka përgjegjësi. Pikërisht për këtë arsye, mbetet të shihet nëse institucionet do të kërkojnë përgjegjësi edhe për vendimet dhe lëshimet që çuan në krizën me ujin e pijshëm.

“Për momentin, po, kriza po përfundon, por shpresoj që në të ardhmen të punohet në mënyrë më të përgjegjshme, sepse është fakt që ajo që ka ndodhur në ujësjellës është e papranueshme. Për këtë do të kujdesen Prokuroria Publike dhe gjykata, të cilat do të shqyrtojnë nëse ka përgjegjësi të dikujt”, tha Stojançe Angellov.

Për të treguar se uji tashmë mund të pihet, drejtuesit e institucioneve përkatëse konsumuan ujë direkt nga sistemi i ujësjellësit të Gostivarit. Autoritetet kanë dhënë edhe rekomandime për ruajtjen e cilësisë së ujit. NP „Komunalec“ Gostivar është këshilluar të rrisë prodhimin e ujit të papërpunuar, në përputhje me kapacitetet dhe mundësitë teknike që ka në dispozicion.

Qytetarëve u është rekomanduar që, veçanërisht nëse rubineti nuk është përdorur për një kohë më të gjatë, ta lënë ujin të rrjedhë për disa sekonda para përdorimit. Gjithashtu është bërë thirrje që uji të përdoret në mënyrë racionale, sidomos gjatë periudhave me konsum të shtuar.

Por, edhe pse ndalesa për përdorimin e ujit për pije është hequr, problemet me furnizimin nuk kanë përfunduar plotësisht. Një pjesë e qytetit vazhdon të përballet tërësisht me mungesë uji.

LEXO EDHE:

Back to top button