KRRE-ja të premten do t’i shpalosë kërkesat e kompanive për rritjen e çmimit të energjisë elektrike

Komisioni Rregullator i Energjetikës është duke bërë përllogaritjet përfundimtare në lidhje me formimin e çmimit të ri të energjisë elektrike. Detajet se sa paguajnë kompanitë nga sektori i energjisë nga vendi te KRRE-ja, do të publikohen të premten, deklaroi për Alsat kryetari i komisionit, Marko Bislimovski. Pikërisht nga këto kosto varet çmimi i ri i energjisë elektrike që do të formohet deri në fund të muajit të ardhshëm dhe do të vlejë nga gushti. Tani për tani, Bislimovski nuk tregon nëse çmimi i energjisë elektrike do të rritet apo jo, por është i prerë se nuk do pranojë kostot e ndërmarrjeve që nuk janë pjesë e veprimtarisë.
Sipas Ligjit të Energjetikës dhe në përputhje me rregullat tona, pranojmë vetëm shpenzime të justifikuara në lidhje me kryerjen e veprimtarisë. Asnjë kosto në lidhje me aktivitetet jashtë veprimtarisë, siç janë ski-qendrat, ose investime në vendpushime ose hotele në pronësi të kompanive, nuk i pranojmë dhe nuk merren parasysh, këtë e kemi bërë edhe më parë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë – tha Marko Bislimovski – Kryetar i Komisionit Rregullator të Energjetikës.
Nga Elektranat e Shtetit tashmë kanë theksuar se është e mundur që të ketë rritje minimale të çmimit të energjisë elektrike, por për këtë e kanë lënë që fjalën e fundit ta jep Komisioni Rregullator i Energjetikës. EMV merr pjesë me 40% në formimin e çmimit për qytetarët dhe ka detyrim shtesë për të siguruar 70% të energjisë elektrike të kërkuar që u dorëzohet qytetarëve nga Furnizuesi Universal. Se sa do të jetë rritja do varet nga çmimi me të cilin do të shitet ajo sasi e energjisë elektrike. Sipas informacioneve, nga MEPSO kanë kërkuar të dyfishohet shuma që e marrin nga një llogari e paguar, me arsyetim se vitin e kaluar kanë pasur investime të mëdha. Ndërsa nga opozitarja VMRO-DPMNE deklaruan se përmes ndryshimeve të ligjit do të kërkojnë të ulet TVSH-ja e energjisë elektrike nga 18 në 5 për qind. Verën e kaluar, energjia elektrike u shtrenjtua për rreth shtatë për qind.
Ile Petrevski