Kryediplomati shqiptar përplaset me Lajçakun

Kryediplomati shqiptar përplaset me Lajçakun

Gazetar: Shkëlzen Aqifi

Në forumin ku po marrin pjesë shefat e diplomacive të vendeve të rajonit, ministri i jashtëm i Shqipërisë Igli Hasani është përplasur me përfaqësuesin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. I pyetur nga moderatori nëse procesi i anëtarësimit në BE është një proces i bazuar në merita, kryediplomati shqiptar Igli Hasani ka adresuar kritika duke thënë se “forcat centripetale drejt BE-së duhen rritur” dhe se Shqipëria do të vazhdojë t’i përmbush kriteret e kërkuara dhe “se këtë nuk e bën për shkak të BE, por për shkak të vetë Shqipërisë”.

“Kam vështirësi të kuptoj se vendi im e ka organizuar vetëm një konferencë ndërqeveritare Shqipëri-BE, dhe po ashtu edhe tjerët kanë bërë këtë. Kaq”, tha Igli Hasani, Ministër i Jashtëm i Shqipërisë.

Hasani i është referuar konferencës së parë Shqipëri BE të vitit 2022, për çeljen e negociatave. Ndaj kësaj ka reaguar Lajçak, i cili është Përfaqësues i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor dhe Emisar për dialogun Kosovë-Serbi.

“Ndihem i obliguar që të përgjigjem në pyetjen që i bëri ministrit Hasani. Dua të them se ky proces është absolutisht i bazuar në merita. Ka shumë politikë dhe gjeopolitikë në fazën përgatitore, vendimi për të dhënë statusin e kandidatit, ftesa për hapjen e negociatave për anëtarësim, por pasi të jeni në proces të anëtarësimit ju duhet të përmbushni kriteret, s’ka rrugë të shkurtër”, theksoi Mirosllav Lajçak, I dërguar i BE-së për dialogun.

Ndaj këtij konstatimi ka reaguar menjëherë kryediplomati shqiptar.

“Nuk thash asnjëherë rrugë të shkurtra Me gjithë respektin ti je për dialogun Beograd -Prishtinë. Kështu që dua të jem i qartë në një gjë. S’kemi kushte për kushtet që na janë vënë. Le të jem i qartë për këtë”, u përgjigj Igli Hasani, Ministër i Jashtëm i Shqipërisë.

“Nuk jam duke polemizuar me ty Igli”, shtoi Mirosllav Lajçak, I dërguar i BE-së për dialogun.

“Po, po, por rri te dialogu, do të jemi të lumtur nëse ke ndonjë rezultat, do të mbështesim, do të mbështesim vazhdueshëm siç kemi bërë…por rri te dialogu”, theksoi Igli Hasani, Ministër i Jashtëm i Shqipërisë.

Nga ana tjetër edhe profesori amerikan Daneil Server ka kritikuar Lajçakun duke thënë se ai ka dështuar pasi palët nuk po zbatojnë Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe Aneksin e Ohrit dhe si të tilla janë jo efektive. Server ka thënë për Kosovapress se është i nevojshëm riformatimi i dialogut Kosovë-Serbi.

“I takon Kosovës dhe Serbisë ta bëjnë zbatimin e marrëveshjes. Serbia ka refuzuar qartë me shkrim zbatimin e marrëveshjes së Brukselit. Nuk mund të bëj asgjë për ta detyruar Serbinë ta pranojë atë. Mendoj se është fare e qartë se ne kemi nevojë për një rivendosje në dialog, do të doja të shihja një rivendosje drejt çështjeve më praktike dhe jo drejt normalizimit politik. Është një urë shumë larg. Miroslav Lajçajk e njeh Ballkanin si çdo diplomat që ka shërbyer këtu, më mirë se 99 për qind do të thosha. Por ai nuk ka pasur sukses. Janë këto dy marrëveshje, janë marrëveshje që Serbia i ka mohuar dhe kjo është një dështim”, tha Daniel Server, Profesor.

Server kritikon në veçanti Serbinë që s’po pranon të nënshkruajë marrëveshjen dhe po e mohon vazhdimisht të njëjtën. Ai kërkon nga BE-ja largimin e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, derisa thekson nevojën që sa me shpejtë përgjegjësit e sulmit terrorist të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit të vihen para drejtësisë./Alsat.mk

 

 

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button