KSHZ-ja hedh poshtë raportin e Revizorit

Të dhënat në raportin e Entit të Revizionit për punën e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve nuk janë të sakta, pretendon nënkryetarja e KSHZ-së, Ditmire Shehu. Si anëtare e përbërjes së mëparshme të KSHZ-së, së cilës i referohet revizioni, ajo mohon të ketë pasur pagesa të paligjshme.

“KSHZ-ja asnjëherë nuk ka bërë pagesë pa dokumentacion të paraqitur siç duhet, që do të thotë për asnjë denarë të vetëm, e jo shuma të tilla që u treguan dje dhe që i lexojmë në media.”- deklaroi Ditmire Shehu, Nënkryetare e KSHZ-së.

 Shehu gjithashtu mohon se dy milion euro janë paguar si honorar, për anëtarët e bordeve zgjedhore gjatë zgjedhjeve të parakohshme lokale dhe atyre presidenciale në vitin 2019.

“Sa i përket vërejtjes së dytë se KSHZ-ja pa të dhëna të ruajtura në ueb aplikacionin, në mënyrë elektronike, ose në formë të letrës pagoi 133 milion denarë, kjo nuk është e vërtetë. Pagesa e komisioneve zgjedhore komunale u bë në bazë të vendimeve që i kemi këtu.”- pohoi Ditmire Shehu, Nënkryetare e KSHZ-së.

KSHZ -ja mohon se nuk ka pasur pagesa të paligjshme të honorarëve për personat në organet ndihmëse në vlerë prej 2.5 milion denarësh. Kryetari i KSHZ -së, Aleksandar Dashtevski, i cili nuk ishte pjesë e përbërjes së mëparshme, theksoi se ekziston mundësia që revizorët të mos kenë qasje në të gjitha dokumentet, prandaj edhe raporti ka qenë i tillë. Dashtevski gjithashtu kërkoi mendim nga udhëheqësi i revizionit të brendshëm në KSHZ.

Revizioni i brendshëm-KSHZ

“Do të jemi në rrjedhë lidhur me raportin. Kolegëve nga Enti Shtetëror i Revizionit dhe ndoshta gjithçka që është lënë pas dore nga ata ose nga ana jonë që nuk është parë, do ua dorëzojmë dhe do t’i përmbushim rekomandimet e tyre.”

KSHZ -ja njoftoi se do të dorëzojë dokumentet që gjoja se i kanë anashkaluar revizorët për t’u treguar se nuk ka diçka joligjore në punën e tyre. Por nëse e shikojmë raportin e revizionit mund të shihet se KSHZ-ja kishte vërejtje për dokumentin në fjalë, por asnjë vërejtje nuk u është pranuar. Revizorët, përveç parregullsive në pagesën e tarifave, kanë vërejtur edhe lëshime gjatë prokurimit publik, duke shpjeguar se shumica e tyre ishin përfunduar përmes negociatave sy më sy. Për shkak të kësaj mënyre të vepruarit, revizioni paralajmëron se mund të ketë implikime financiare për punën e ardhshme të KSHZ-së. Më 5 nëntor të vitit të kaluar, prokuroria hapi hetim ndaj katër anëtarëve të KSHZ-së për mënyrën e përzgjedhjes së një kompanie që fitoi tenderin për prokurimin e softuerit për numërimin e votave në zgjedhjet e parakohshme të vitit të kaluar.

Bojan Stojanovski

LEXO EDHE:

Back to top button