Kukës, fillon vaksinimi i punëtorëve shëndetësorë të Kosovës

Në një qendër vaksinimi në Kukës të Shqipërisë ka filluar imunizimi i grupit të parë të punëtorëve shëndetësorë nga Kosova. Gazetari i REL-it, i cili po përcjellë këtë proces, njofton se punëtorët shëndetësorë kosovarë arritën me disa autobusë në Kukës, dhe se ata kanë filluar të injektohen me vaksinat kundër koronavirusit.

Imunizimi është duke u bërë me vaksinën e AstraZeneca-s e zhvilluar në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit. Shqipëria në muajin mars është furnizuar me 38.400 doza të vaksinës së AstraZeneca-s.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një vizite në këtë qendër vaksinimi, tha se Shqipëria është e gatshme të bëjë edhe më shumë për Kosovën, por për momentin “është e rëndësishme të fillohet vaksinimi i punonjësve shëndetësorë”.

“Kompanitë nuk lejojnë rieksportim, nëse ne do të nxirrnim nga territori vaksinat do të kishin problem të madh. Është në kontratë. Kemi filluar me 500 (punonjës shëndetësorë) do vazhdojmë patjetër, nuk do t’iu lëmë në asnjë mënyrë vetëm atje sepse në fund të fundit ne jemi një”, tha kryeministri Rama.

Shqipëria do të vaksinojë 500 punëtorë shëndetësorë të Kosovës. Më 19 mars Federata e Sindikalistëve të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK) ka njoftuar se të shtunën 250 punëtorë shëndetësorë të Kosovës do të dërgohen për vaksinim në Kukës, Shqipëri. Udhëheqësi i kësaj federate Blerim Syla, ka thënë përmes një njoftimi për media se 250 punëtorë shëndetësorë tjerë do të vaksinohen në ditët në vijim.

 

LEXO EDHE:

Back to top button