Kundërthënie të skajshme nga takimi me dyer të mbyllura, mes Mickoskit e Taravarit

Kundërthënie të skajshme nga takimi me dyer të mbyllura, mes Mickoskit e Taravarit

Takimi pa epilog mes kryeministrit Hristijan Mickoski dhe kreut të ASh-së Arben Taravari nuk pastroi ujërat e turbullta të cilat kanë vërshuar ambientin politik periudhën e kaluar. Bashkëpunimi i ASH-së me BDI-në në zgjedhjet lokale qoftë edhe në heshtje, ka qenë shtylla kryesore e bisedimeve për të ardhmen në qeveri, të cilat burimet qeveritare i quajtën konstruktive edhe pse Mickoski me tone të ashpra kishte paralajmëruar më herët se do të kërkonte sqarim, të cilin do ta ndante me mediat. Mickoski ishte i prerë, se edhe bashkëpunimi në heshtje, për të ishte i papranueshëm.

“Në atë takim, qartë dua të dëgjoj qëndrim që edhe mediat do ta dëgjojnë qëndrimin se a është e saktë që ka marrëveshje mes partisë së Arben Taravarit dhe Bashkimit Demokratik për Integrim se në së paku 5 ose 6 komuna, të mos i spekuloj emrat, ku ai do të nxjerrë kandidatë, Bashkimi Demokratik për Integrim nuk do të nxjerrë kandidatë për kryetarë komunash. Që e para nënkupton nënçmim të vetes si parti politike dhe e dyta se në heshtje do ta mbështesë. Kjo është e papranueshme si kryetar i Qeverisë”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.

Pavarësisht qëndrimit të prerë të Mickoskit se bashkëpunimi i Taravarit me BDI-në është i papranueshëm, Mickoski ka vendosur t’i jap kohë kësaj problematike, si dhe të vazhdojë bisedimet mes tyre, përmes zv/kryeministrit Arben Fetai, manovër e përdorur edhe gjatë bisedimeve me VLEN. Kjo, mbase e lë në pozitë të palakmueshme koalicionin VLEN, i cili e largoi nga koalicioni partiak pikërisht për shkak të bisedimeve për bashkëpunim të ASh-së me BDI-në për zgjedhjet e ardhshme lokale. Për to, janë realizuar takime kokë më kokë mes Taravarit dhe Ali Ahmetit, gjë që e ka pranuar edhe vetë kreu i BDI-së apo aktorë të tjerë të Frontit Evropian.

“Momentin që ka vendosur të bashkëpunojë me BDI-në, është mëse e ndershme të dalë prej koalicionit. Të paraqet atë koalicion para publikut dhe anëtarësisë së tij dhe t’i bashkëngjitet BDI-së dhe të matemi në zgjedhjet e ardhshme lokale si dy taborë politike”, tha Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër.

Në këto rrethana, mesazhin e VLEN-it që Taravari nuk duhet të jetë pjesë e koalicionit qeveritar, Taravari i shihte si servilosje, pavarësisht se mbetja e tij në qeveri dhe, me më shumë kohë dhe bisedime shtesë reflekton servilosjen e vet.

“Unë e shoh që VLEN-i sikur serviloset dhe me çdo kusht mundohet të jetë në qeveri. Në qoftë se është kusht ky le të vazhdojnë të rrinë, por duken keq prej përjashta dhe lënë përshtypje shumë të keqe”, tha Arben Taravari, Aleanca për Shqiptarët .

Taravari ishte kontradiktor edhe kur sulmonte partnerin politik shqiptar se është fajtor për anketat e tij që 70% e popullatës shqiptare vlerësojnë se pozita e VLEN-it në Qeveri është e dobët. Ndërsa nga ana tjetër, në të njëjtën qeveri lartësonte figurën e Mickoskit. Madje, duke u bërë vetëkritik se pozita e dobët në qeveri është për shkak të vetes së tij, por jo edhe të kryeministrit apo VMRO-së. Taravari ishte i gatshëm ta gëlltiste edhe momentin kur kryeministri Mickoski, ia tregoi derën deputetit tij Halil Snopçe.

“Unë mendoj se statusi i shqiptarëve nuk është i keq në Maqedoni. Asnjëherë nuk ka ndodhur të ketë një marrëdhënie kaq korrekte nga kryeministri ndaj partnerëve të koalicionit. Kjo, është super korrekte”, shtoi Arben Taravari, Aleanca për Shqiptarët .

Ndërsa taktizohet me qëndrimin e Taravarit në Qeveri, mbetet të shihen hapat e koalicionit VLEN, të cilët vazhdojnë të insistojnë në përjashtimin e Taravarit. Kjo, mbase mund të jetë një moment i ri politik, i cili rikthen në lojë edhe atë të rrëzimit të çdo teze të deritanishme, daljes nga qeveria dhe shkuarjen në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, sidomos, në rrethanat kur ndryshimet kushtetuese dhe rrugëtimi evropian kanë ngecur, ndërsa nuk po bëhen hapa serioze as në fushat tjera, si në gjyqësor, administratë, ekonomi e të tjera./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button