“Kuqezinjët” sfidojnë historinë, 6 humbje dhe vetëm një gol ndaj Anglisë

Tomas Tushel do të drejtojë ndeshjen e tij të parë si trajner i Anglisë, kur të tijtë presin Shqipërinë në stadiumin “Uembli”, në ndeshjen e parë kualifikuese për Kupën e Botës. Anglia është gjithashtu në Grupin K, bashkë me Andorrën, Letoninë dhe Serbinë.

Tushel bëri disa zgjedhje surprizuese në grumbullimin e tij të parë, duke përfshirë rikthimin e Markus Rashford, si dhe dy veteranët, Xhordan Henderson e Kajll Uallker.

Morgan Gibbs-Uajt u ftua më vonë si zëvendësues i Koll Palmerit, i cili u tërhoq për shkak të një dëmtimi. Mbetet për t’u parë nëse Tushel do të zgjedhë të luajë me një mbrojtje me tre, skemë që e përdori gjerësisht gjatë kohës së tij si trajner i Çellsit, apo nëse do të ndjekë formacionin 4-2-3-1 që Anglia përdori në “Euro 2024”, nën drejtimin e Garet Sauthgejtit.

Nga ana tjetër, Shqipëria do të synojë të tregojë se paraqitjet e saj premtuese në “Euro 2024”, ku edhe pse përfundoi e fundit në grup, arriti të barazonte me Kroacinë, t’i diktojë një sfidë të vështirë Italisë dhe të qëndronte fort kundër Spanjës, nuk ishin një rastësi. Megjithatë, Liga e Kombeve që pasoi nuk ishte e lehtë për “kuqezinjtë”, me vetëm një fitore (ndaj Gjeorgjisë) në 5 ndeshje.

Nën drejtimin e Silvinjos, kombëtarja shqiptare luan futboll intensiv dhe kërkon të sulmojë shpejt e drejtpërdrejt. Fakti që humbjet e “kuqezinjve” kundër ekipeve më të forta zakonisht vijnë me diferencë të vogël tregon disiplinën e tyre mbrojtëse. Mbrojtësi Elseid Hysaj nuk do të jetë i disponueshëm, por trajneri do të ketë në dispozicion dy sulmuesit kryesorë, Armando Brojën dhe Rey Manajn, të rikuperuar nga dëmtimet.

Kjo ndeshje kualifikuese do të startojë sot, më 21 mars, prej orës 20:45, në stadiumin “Wembley” të Londrës. Gjyqtar kryesor do të jetë Alejandro Hernandez (Spanjë).

 

Statistika

 

Anglia i ka fituar të gjashtë përballjet e mëparshme mes këtyre dy ekipeve, përfshirë dy fitore me rezultatin 5-0, në prill 1989 dhe nëntor 2021.

Shqipëria ka shënuar vetëm një gol kundër Anglisë në histori (Altin Rrakli më 2001).

Shqipëria nuk ka fituar kurrë një ndeshje zyrtare kundër një ekipi të renditur në Top-10 e FIFA-s (2 barazime, 17 humbje), por ka një fitore në miqësore kundër Francës (1-0, në qershor 2015, me golin e Ergys Kaçe).

Anglia është e pamposhtur në 31 ndeshjet e fundit kualifikuese për Kupën e Botës (23 fitore, 8 barazime), seria më e gjatë aktive në Europë.

Xhud Bellingam është gati të thyejë rekordin e Uejn Runit për më shumë paraqitje me Anglinë, para se të mbushë 22 vjeç (të dy janë aktualisht me nga 40 ndeshje).

LEXO EDHE:

Back to top button