Kurdët në Irak dhe Siri presin më shumë mbështetje nga administrata e ardhshme amerikane

Forcat kurde në Irak dhe Siri kanë qenë partnerë të rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara në luftën kundër Shtetit Islamik. Gjatë viteve që Joe Biden ishte senator si dhe më pas si nënpresident, ai ka qenë shumë i përfshirë në politikat amerikane në rajon. Prandaj, shpjegon korrespondenti i Zërit të Amerikës Sirwan Kajjo, kurdët ushqejnë shpresa për politikat amerikane ndaj rajonit në administratën e ardhshme. i:

Me mbështetjen e një koalicioni të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, forcat kurde në Irak dhe Siri kanë ndihmuar për të çliruar rajone të mëdha nga Shteti Islamik në këto dy vende. Tani që i ashtu-quajturi “kalifat” i këtij rrjeti terrorist nuk ekziston më, grupet kurde besojnë se partneriteti i tyre me Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojë për të ruajtur stabilitetin në rajon.

Në Siri, zyrtarët kurdë besojnë se një mbështetje më e madhe nga administrata e ardhshme amerikane do të ndihmojë për të mbyllur konfliktin e tejzgjatur në vend.

“Kemi një partneritet ushtarak mes Këshillit Demokratik Sirian (SDF) dhe Shteteve të Bashkuara në luftë me ISIS-in. Shteti Islamik ende ekziston, ka celula të fjetura, prandaj duhet të ruajmë parnteritetin politik që na nevojitet për të sjellë paqe dhe për të ndalur krizën në Siri, e cila vazhdon prej 10 vjetësh,” thotë Sinam Mohamad, Përfaqësuese e Këshillit Demokratik Sirian në SHBA.

Rajoni autonom i Kurdistanit në Irak ka krijuar një marrëdhënie më funksionale me Uashingtonin, prandaj zyrtarët kurdë në Irak shpresojnë se Presidenti i zgjedhur Joe Biden do të forcojë strategjinë amerikane kundrejt Irakut dhe kurdëve.

“Me rëndësi për ne është që Shtetet e Bashkuara të vazhdojnë në këtë kurs në Irak, të ruajnë praninë ushtarake si dhe një prani të fortë diplomatike dhe ta bëjnë këtë prani sa më të dukshme si brenda, edhe jashtë vendit,” thotë Bayan Sami Abdulrahman, përfaqësuese e Qeverisë Rajonale të Kurdistanit në SHBA.

Gjatë viteve që ishte senator dhe më pas si nënpresident në administratën e Presidentit Obama, kurdët e shihnin zotin Biden si përkrahës të tyre.

Gjatë një tubimi për fushatë vjet, kandidati Biden kritikoi Presidentin Trump për tërheqjen e trupave amerikane nga disa pjesë të Sirisë verilindore në tetor 2019.

“Duke tërhequr në masë këtë kontigjent të vogël forcash speciale amerikane nga Siria, Presidenti Trump ka arritur që me një lëvizje të tradhtojë partnerët kurdë, të cilët na ndihmuan të mposhtim ISIS-in dhe të krijojë një krizë humanitare në radhët e civilëve të pafajshëm dhe pakicave etnike e fetare të ndodhura mes zjarrit,” tha zoti Biden.

Presidenti Trump tërhoqi trupat në kuadër të një politike më të gjerë për të reduktuar praninë amerikane në konflikte të huaja. Ekspertët parashikojnë që zoti Biden do të vazhdojë strategjinë e anti-terrorizmit në Siri, e cila kërkon ruajtjen e partneritetit mes Shteteve të Bashkuara dhe kurdëve të Irakut.

“Do të ishte e pamundur që ushtria amerikane të vazhdonte të mbështeste Forcat Demokratike Siriane në Sirinë verilindore nëse nuk ka linja të sigurta furnizimi dhe përforcimesh përmes territorit autonom të Kurdistanit,” thotë Nicholas Heras me Institutin për Studimin e Luftës.

Analisti Nicholas Heras shton se një politikë e suksesshme për të parandaluar ringjalljen e ISIS-it në Siri kërkon që administrata e ardhshme të vazhdojë t’u ofrojë mbështetje të qëndrueshme Forcave Kurde të Irakut./VOA

LEXO EDHE:

Back to top button