Kurti bën thirrje për votimin e Kamberit, tregon dhe arsyet

Kurti bën thirrje për votimin e Kamberit, tregon dhe arsyet

Sot në vendvotimin numer 6 në Tërnoc të Madh të Bujanocit po përsëriten zgjedhjet për deputet në Parlamentin e Serbisë.

Kjo ka bërë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të bëjë thirrje që të votohet deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, njofton Klankosova.tv.

“Një përqindje e vogël e votave mund të ndryshojë situatën dhe shqiptarët të mund të marrin një ulëse në Kuvendin e Serbisë. Pas vendimit për përsëritjen e zgjedhjeve në qendrën 6 të vendvotimit në Bujanoc, janë rritur gjasat që bartësi i listës së Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, z. Shaip Kamberi, të fitojë edhe një mandat deputeti. Potenciali votues i vendvotimit 6 është 1089 vota. Nevojiten 650 vota ose votimi i 60% të qytetarëve nga lista e votimit që z. Kamberi të vazhdojë përfaqësimin e shqiptarëve”.

“Ju ftoj që sot, më 28 prill, të gjithë ju më të drejtë vote, të shkoni në vendvotimin numër 6 në Tërnoc dhe të votoni për Koalicionin e Shqiptarëve të Luginës, të votoni për Shaip Kamberin”.

Madje, Kurti mes lavdesh tregoi arsyet se pse duhet të votohet Kamberi.

“Për dy mandate përfaqësimi z. Kamberi ka qenë gjithmonë i zëshëm gjatë seancave parlamentare në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve dhe në denoncimin e regjimit autokratik në Serbi. Ai e pati mbajtur fjalimin e parë në gjuhën shqipe në Kuvendin e Serbisë së pasluftës. “Sot është një ditë e veçantë. Është ditë e parë pasi që një Gjykatë e këtij shteti ka legalizuar termin ofendues ‘šiptari’”, ishin fjalët e para të fjalimit të tij”.

“Deputeti Kamberi kundërshtonte ashpër para kuvendarëve serbë ndryshimin e pjesshëm të Kushtetutës së Serbisë, duke besuar se akti duhet të ndryshohet në tërësinë e tij. Ai përmendte si problematike preambulën e Kushtetutës, e cila përcakton Kosovën si pjesë të Serbisë”.

“Në seancën e 29 tetorit 2020, z. Kamberi listonte faktet për masakrat e Serbisë në Kosovë dhe mohimin e fshehjen e krimeve nga shteti serb. Në seancën e 26 nëntorit 2020, dy ditë para Festës së Flamurit, deputeti Kamberi kërkonte që të krijohen kushtet për përdorimin e simboleve kombëtare shqiptare. Skena kur gjersa diskutonte nxori flamurin shqiptar dhe e vendosi në bankën e deputetit, na pati bërë krenarë. Fjalimi i tij edhe më shumë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Tutje, Kurti vlerëson se Kamberi si deputet vazhdimisht avokonte për reciprocitet të drejtash të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit me ato të pakicës serbe në Kosovë./klankosova

LEXO EDHE:

Back to top button