Kurti: Gjërat nuk mund të zgjidhen me trusni

Kurti: Gjërat nuk mund të zgjidhen me trusni

Gazetar: Shkëlzen Aqifi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se shtensionimi i situatës në veri nuk mund të zgjidhet me trysni dhe përmendje pasojash. Ai pranoi se ka sfida në diskutimet me emisarët Lajçak dhe Escobar por u shpreh i bindur se do të mund t’i sqarojnë të gjitha paqartësitë, derisa shtoi se s’ka marrë asnjë ultimatum nga ata për zgjidhjen e situatës në veri. Kurti tha se është pro mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në veri, por me kushtin që fillimisht të ketë sundim të ligjit në atje dhe pastaj që zgjedhjet të jenë të lira dhe demokratike.

“Nuk kam marrë kurrfarë ultimatumi, ne u takuam bashkëbiseduam me emisarët evropian dhe amerikan për dy orë. Unë kam ofruar mënyrën e sigurt se si të kemi një dalje të qëndrueshme nga kriza në veri të Kosovës e shkaktuar nga strukturat ilegale. Pika e parë është sundimi i ligjit, s’ka qëndrueshmëri institucionale pa sundim të ligjit, një prej pikave themelore të demokracisë është ligji mbi politikën… E dyta, që në përputhje me largimin e këtyre grupeve dhe përfundimin e të gjitha trazirave të dhunshme të kemi zvogëlim të pranisë në ndërtesat komunale në tri komunat në veri dhe më pastaj do të mund të angazhoheshim në një proces fer, demokratik zgjedhor për zgjedhje të parakohshme. Nuk mendoj se këto gjëra zgjidhen me trysni dhe me përmendje pasojash dhe ndoshta edhe sanksionesh të shtetit më demokratik dhe më progresist në Ballkanin Perëndimor. Unë jam i bindur se do të mund t’i sqarojmë paqartësitë. Kemi sfida me emisarët edhe evropian dhe amerikan, por marrëdhëniet tona bilaterale me BE-në dhe ShBA-në janë të shkëlqyeshme”, deklaroi Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

I pyetur për Asociacionin, Kurti tha se Qeveria e Kosovës nuk ka shkruar një draft-statut, por ka paraqitur në maj një draft-vizion, që sipas tij është në përputhje me Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, që Kosova dhe Serbia arritën më herët gjatë këtij viti. Sipas tij, ky draft-vizion është i inspiruar në modelin kroat.

“Draft-statut të Asociacionit, Qeveria e Kosovës s’ka shkruar. Qeveria ka shprehur gatishmërinë për një draft-statut për thellimin e mëtutjeshëm të draft-vizionit qysh në Ohër më 18 mars kur u refuzua një gjë e tillë. Gjithashtu e kemi shprehur në vazhdimësi gatishmërinë tonë kur të pajtohemi për parimet. Pasi nuk ka kuptim një tekst gjerë e gjatë nëse parimet bazë nuk janë të dakoorduara”, shtoi Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

SHBA-ja ka thënë se nuk përkrah një asociacion që do t’i ngjasonte një lloj Republike Sërpska, sikurse në Bosnje e Hercegovinë. Sipas Uashingtonit, Kosova duhet të marrë për bazë ndonjë model ekzistues evropian për të drejtat e komuniteteve pakicë, që nuk shkel sovranitetin, funksionalitetin apo strukturën kushtetuese të shtetit. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button