Kurti kërkon ndihmë më të madhe nga SHBA kundër planeve të Serbisë
Kurti kërkon ndihmë më të madhe nga SHBA kundër planeve të Serbisë

Kryeministri Albin Kurti ka pasur një bisedë telefonike me këshilltarin për siguri kombëtare në Shtetet e Bashkuara, Jake Sullivan.
Ai ka falënderuar zyrtarin e lartë amerikan për mbështetjen e SHBA por në të njëjtën kohë ka kërkuar ndihmë më të madhe kundër planeve luftarake të Serbisë.
“Kam falënderuar Shtetet e Bashkuara për mbështetjen dhënë Kosovës në sigurinë kufitare dhe kam kërkuar ndihmë më të madhe kundër planeve luftarake të Serbisë. E kam siguruar për bashkëpunimin e vazhdueshëm të Policisë së Kosovës me KFOR-in dhe se përkushtimi ynë për t’i mbrojtur të gjithë qytetarët është i palëkundur”, ka shkruar Kurti në “X”.
Një ditë më parë (29 shtator) Koordinatori për komunikime strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, shprehu shqetësimin e Uashingtonit, për siç tha, “dislokimin e madh” të trupave të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën.
Në orët e para të 24 shtatorit, një grup terrorist i udhëhequr nga njeriu i ngushtë i presidentit serb Aleksandër Vuçiq si dhe nënkryetari i dorëhequr i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, sulmuan policinë e Kosovës ku humbi jetën rreshteri Afrim Bunjaku.