Kurti kritik ndaj takimit të 2 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë


Ish-kryeministri i Kosovës, njëherësh lideri i Lëvizjes Vetëvendosje në opozitë, Albin Kurti ka kritikuar takimin e 2 shtatorit në Uashington, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të thirrur nga i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun, Richard Grenell.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti e ndërlidhi ftesën e këtij takimi me zgjedhjet presidenciale në SHBA, që pritet të mbahen në nëntor.

“Në këtë kontekst duhet të shihet edhe 2 shtatori si datë e paralajmëruar e negociatave ndërmjet Kosovës e Serbisë në Uashington D.C. Ish-ambasadori amerikan në Berlin dhe ish u.d. i Drejtorit të Inteligjencës Nacionale, Richard Grenell, e do një sukses të orëve të fundit në politikën e jashtme”, tha Kurti.

Kurti ka përsëritur deklaratat e tij, lidhur me mundësinë që në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, palët të kenë biseduar edhe për “shkëmbimin territorial”.

Kurti edhe më herët kishte thënë se në prani të Grenellit ishte diskutuar për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë – që sipas tij, ky shkëmbim do të hynte në kuadër të marrëveshjes finale.

Por, më 20 prill, Grenell kishte reaguar ndaj këtyre pretendimeve të Kurtit duke i hedhur poshtë ato.

“Nuk ka pasur absolutisht diskutim për shkëmbim territoresh prej meje – dhe nuk është diskutuar prej askujt tjetër në praninë time. Këtë e kemi thënë shumë herë”, kishte shkruar Grenell në rrjetin social Twitter.

Sipas Kurtit, në njoftim Grenell, nuk i është referuar takimit të 2 shtatorit si dialog, por si negociata.

“E, negociatat kanë për destinim kompromisin. Kushtetuta e Kosovës e ka përbrenda kompromisin e dhimbshëm të pakos së Ahtisaarit, ndërkaq Kushtetuta e Serbisë vazhdon synimet e Milosheviqit, duke theksuar qysh në fjalinë e dytë të saj se Kosova është pjesë integrale e Serbisë. Nuk mund të ketë as drejtësi e as dobi nga një qasje e tillë”, ka shkruar Kurti.

I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun, Richard Grenell të premten njoftoi se më 2 shtator, Kosova dhe Serbia do të takohen në Uashington. Kësaj ftese i janë përgjigjur pozitivisht kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Administrata amerikane konfirmoi për REL se në këtë takim do të bisedohet për çështjet ekonomike.

LEXO EDHE:

Back to top button