Kurti: Pas aktit terrorist në veri, dialogu nuk mund të vazhdojë sikur të mos ketë ndodhur asgjë
Kurti: Pas aktit terrorist në veri, dialogu nuk mund të vazhdojë sikur të mos ketë ndodhur asgjë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se dialogu me Serbinë nuk mund të vazhdojë sikur asgjë të mos ketë ndodhur. Kurti theksoi se kapitulli i tanishëm për normalizim duhet të marrë parasysh përpjekjen e Serbisë për aneksim të Kosovës. Në takimin me dy senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen dhe Peter Welch, Kurti renditi argumentet që sipas tij dëshmojnë përfshirjen e Serbisë në sulmin terrorist në Bansjkë. Ndërkaq, potencoi nevojën që Serbia të mbajë përgjegjësi për sulmin e 24 shtatorit.
“Institucionet e inteligjencës sonë kanë vërejtur se ka pasur një rritje të rrezikut për sulme nga Serbia. Qëllimi kryesor i këtyre grupeve është që të fajësohet Kosova dhe policia dhe të portretizohet se ka sulme apo forcë kundër serbëve. Unë jam kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës, të gjitha komuniteteve të vendit tonë. Prandaj, të gjitha këto përpjekje për destabilizim duhet të ndalen tani. Është koha që Serbia të mbahen përgjegjëse, pasi këto sjellje dhe sulme do të vazhdojnë edhe më tutje”, tha Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.
Nga ana tjetër senatorja amerikane, Shaheen, tha se përgjegjësit e sulmit terrorist të 24 shtatorit, duhet të japin llogari dhe të mbahen përgjegjës. Sipas saj rritja e ushtarëve të KFOR-it, siguron ruajtjen e kufirit të Kosovës me Serbisë.
“Mendojmë se përgjegjësit është shumë e rëndësishme që të japin llogari. Të japin llogari sipas ligjit dhe që Serbia të bashkëpunojë në hetimet që po vazhdojnë. Gjithashtu, mendojmë se është kohë e duhur që të theksojmë se stabiltieti afatgjatë i Kosovës dhe rajonit nënkupton një lloj marrëveshje me Serbinë për të adresuar në mënyrë paqësore dallimet mes vendeve tuaja. Është koha kur BE-ja dhe ShBA-ja janë të përqendruara në këtë rajon dhe rëndësinë për të adresuar shqetësimet që ekzistojnë. SHBA-të qëndrojnë krah jush. Më erdhi mirë që e pash rritjen e ushtarëve të KFOR-it, pasi është e rëndësishme për ruajtjen e kufirit dhe stabilitetin në vend”, theksoi Jeanne Shaheen, Senatore amerikane.
Dy senatorët amerikanë gjatë vizitës së tyre në Kosovë takuan edhe presidenten, Vjosa Osmani. Presidentja e Kosovës tha pas takimit se me senatorët bisedoi për ngjarjet e 24 shtatorit kryesisht, duke e akuzuar Serbinë se po “synon ta destabilizojë tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor duke vepruar si satelit i Rusisë”. Vizita e Shaheen dhe Welch në Prishtinë vjen rreth tri javë pasi Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serbësh në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit, më 24 shtator, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. /Alsat.mk