Kurti: Plan për menaxhimin e pandemisë

U kthye aty ku ishte edhe para një viti. Albin Kurti, lideri i Vetëvendosjes me ceremoni shtetërore mori detyrën e kryeministrit të Kosovës. Gjatë mbledhjes ceremoniale të kabinetit të ri qeverisës, Kurti tha se menaxhimi i pandemisë dhe ringjallja e ekonomisë janë sfidat kryesore.

 “Pres që në tavolinën time të vijë urgjent, si plani për menaxhimin e pandemisë, po ashtu edhe plani për ringjalljen ekonomike. Sfidat janë të mëdha. Përtej veprimeve urgjente në menaxhimin e pandemisë, duhet të veprojmë shpejt që të ndalim humbjet financiare nga kompanitë publike, por edhe të ndalim recesionin ekonomik”

Kurti i shoqëruar nga ushtruesi i detyrës president dhe kryetar i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca bënë homazhe në kompleksin memorial Adem Jashari në Prekaz.

 “Çdo herë kur marrim detyra të rëndësishme shtetërore, çdo pozitë e lartë institucionale duhet të themelohet mbi kthimin dhe rikthimin tek jasharajt dhe tek Prekazi. Ky kryeqytet i kryengritjes sonë kombëtar”

 “Jemi këtu që të përkulemi para veprës së madhe të familjes Jashari dhe të marrim forcë se si të vazhdojmë dhe të ecim përpara. Meqenëse ky është vendi që në vitin 1998 kombi shqiptar u ringjallë dhe sakrifica e familjes Jashari e lëvizi krejt botën dhe e bëri atë të rreshtohet në anën e interesit të kombit shqiptar”

 “Shfrytëzoj rastin këtu që t’iu uroj detyrën e re, një mision me shumë sfida me shumë vështirësi, me shumë telashe të mëdha që e presin vendin tonë gjithandej”

 Pos zgjedhjes së Qeverisë, akoma nuk dihet fati i presidentit të Kosovës. Për këtë post Vetëvendosje ka nominuar Vjosa Osmanin e cila në zgjedhje mori mbi 300 mijë vota. PDK-ja e ka bërë të qartë se nuk do ta votojnë Osmanin për presidente. Nga AAK kanë thënë se votat duhet t’i sigurojnë Kurti e Osmani. LDK-ja ende nuk e ka bërë të qartë se si do të veprojë për zgjedhjen e presidentit.  Sipas Kushtetutës, që një person të zgjidhet president i Kosovës, në dy raundet e para të votimit duhet të sigurojë dy të tretat e votat të Kuvendit të Kosovës prej 120 ulësesh. Ndërkaq, në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në votim duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë. Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Shkëlzen Aqifi

LEXO EDHE:

Back to top button